Mallorca ndali ecurinë e fitoreve të Barcelonës në La Liga. Vedat Muriqi u shënoi katalanasve dhe dha edhe një asist në sfidën që përfundoi 2-2 në “Son Moix”. Sulmuesi i dardanëve kaloi Mallorcan në avantazh pas tetë minutash lojë pas pasimit të Antonio Sançez. Katër minuta nga fundi i pjesës së parë, Rafinja barazoi rezultatin.
Por Mallorca u tregua agresive dhe në shtesën e pjesës së parë, Muriqi pasoi për Prats që realizoi golin e avantazhit. Në vazhdim, trajneri Xavi aktivizon Levandovskin, Fermin dhe Xhamal, e të tre ndërtuan golin e barazimit.
Në të 75’, Fermin Lopez mposhti portierin Rajkoviç. Trajneri i blaugranave, Xavi dha përshtypjet e tij për sfidën.
“Mendoj se ishte një ndeshje e fortë, me tension Mallorca luajti mirë, ne u treguam agresivë, por kjo nuk mjaftoi. Ne krijuam shumë raste për gol, por ishte për të ardhur keq që nuk realizuam më tepër”.
Në sfidën tjetër, Sevija shkatërroi Almerian me rezultatin 5-1 në stadiumin “Sançez Pizjuan”./Katror.info