Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë vendosur gurthemelin e Kuzhinës Qendrore në Podujevës.
Aty u tha se kuzhina do t’i shërbejë 10 mijë fëmijëve, prej çerdheve e parashkollorëve deri te klasat I-IX, ndërsa vlera e investimit është 700 mijë euro. Gjithashtu, u tha se kuzhina do të ketë një sipërfaqe prej 1150 metra katrorë, ku përfshihen salla e restorantit, hapësirat për punëtorë dhe administratë dhe dhomat përcjellëse.
“Ky është një lajm i mirë për mirëqenien e fëmijëve në njërën anë, dhe për kujdesin e komunës e të qeverisë për të drejtat dhe nevojat e fëmijëve në anën tjetër, sepse të gjithë e dimë se mësimnxënia varet shumë nga mirëqenie e nxënësve”, tha kryeministri Kurti.
Ndërkaq, kryetari Shpejtim Bulliqi, vendosjen e gurthemelit e quajti si moment të veçantë për qytetarët e Podujevës.
Bulliqi, tha se me këtë kuzhinë, fëmijët do të kenë mundësi që të kenë ushqim të ngrohtë, dhe kështu, sipas tij, po bëhen përgatitjet e para që të ecet drejt mësimit gjithë ditor në këtë komunë.
Kryetari i Podujevës tha se sot qyteti që ai drejton ka nëntë çerdhe publike, nga një sa e kishte gjetur.
Ndërkohë, po në këtë komunë u bë përurimi i çerdhes në Kërpimeh dhe përurimi i asaj në Orllan.
“Çerdhja në Kërpimeh, nga ish shkolla fillore “Azem Bejta” më pas Shkolla “Hamit Sejdiu”, e dëmtuar dhe e lënë pas dore, tani është shndërruar në çerdhe moderne në shfrytëzim për fëmijët e Fshatit Kërpimeh me rrethinë. Vlera i investimit është 200 mijë euro. Objekti ka një hapësirë prej 460 metra katrorë, me kuzhinë, hapësirë për administratë, depo, banjo, tre dhoma edukimi dhe një dhomë gjumi.”, thuhet në njoftimin e qeverisë për ngjarjen.
Ndërsa, u tha se çerdhja në Orllan është adaptuar brenda hapësirave të Shkollës Fillore “Zahir Pajaziti”, përmes një investimi në vlerë 12 mijë euro./RTK/Katror.info