Në një kohë të ndërlikuar kur amerikanët ishin thellësisht të ndarë në gjithçka, nga strukturat tradicionale shoqërore te luftërat e huaja, tri ditë dashurie, paqe dhe muzikë dukej se ishte pikërisht ajo që i duhej botës e para se gjithash Amerikës. Vitet e ’60-ta dhe ’70-ta në Shtetet e Bashkuara ishte epoka e “counterculture” (kundërkulturës) që përcaktohej nga lufta, tensionet racore dhe një popullsi e të rinjve që sfidonin qeverinë e tyre.
Festivali i Muzikës dhe Arteve në Woodstock, i cili u zhvillua në vitin 1969 në Bethel, New York nga 15 deri më 18 gusht, ishte një ngjarje kulturore e ‘pushtuar’ nga droga, seksi dhe rock and roll që simbolizonte klimën politike dhe sociale të Shteteve të Bashkuara.
Ajo që pasoi ishte përtej çdo gjëje që dikush mund të kishte parashikuar. Fenomeni kulturor që askush nuk e parashikoi transformoi një livadh të zakonshëm në një pikë historike referimi ku interpretuesit legjendarë luajtën për gati gjysmë milioni njerëz.
Balta e paimagjinueshme dhe momentet e paharrueshme e shndërruan Panairin e Muzikës dhe Artit në Woodstock në një klithmë kulturore për një brez të tër. Koncerti i Muzikës dhe Artit në Woodstock u organizua nga katër promovues të papërvojë. Ideja pas festivalit të parë muzikor të Woodstock-it cili u konceptua nga John Roberts, Joel Rosenman, Artie Kornfield dhe Michael Lang, asokohe të gjithë nën 27 vjeç ishte thjesht për të mbledhur para të mjaftueshme për të ndërtuar një studio regjistrimi në Woodstock.
Ajo që ndodhi gjatë tri ditëve të festivalit u bë legjendare – si një ngjarje muzikore dhe si një moment brezash. Gjatë muajve para festivalit, organizatorët u përballën me një luftë të gjithanshme nga vendasit që u përpoqën të ndalonin ngjarjen. Ndërsa fshati Woodstock, New York kishte qenë shtëpia e një grupi njerëzish artistikë dhe idealistë që nga fillimi i shekullit të 20-të, shumë banorë të brezit të vjetër i konsideronin “hipitë” e rinj si dembelë dhe madje, në disa raste, të rrezikshëm.
Me kalimin e viteve fshati kishte miratuar urdhëresa që synonin ndëshkime për sjellje të “pahijshme” si mungesa e këmishës në trup, konsumi publik i alkoolit dhe “bredhja rrugëve” e grupeve të të rinjve. Kur u mor vesh se ishte planifikuar një festival muzikor, bordi i fshatit miratoi një sërë rregulloresh që ndaluan në mënyrë efektive perspektivat e festivalit në qytetin e Wallkill. Dhe kur gjithçka dukej e pashpresë, fermeri i qumështit Max Yasgur vuri në dispozicion livadhin e tij për festivalin.
Vështirësitë e minutës së fundit për përgatitjet e koncertit ndikuan që nuk kishte kohë për të ndërtuar gardhe rreth sipërfaqes së koncertit, gjë që ndikoi që organizatorët ndaluan së shituri bileta. Deri atëherë, ishin shitur rreth 180 mijë bilera, ndërsa të rinj nga i gjithë vendi ishin rrugës për në Bethel, ku erdhën edhe 300.000 njerëz të tjerë pa bileta. Fluksi i vizitorëve në zonën rurale në Bethel krijoi një bllokim masiv trafiku të paparë më herët në Shtetet e Bashkuara. Numrat joyzrtarë thonë se rreth një milion njerëz ishin në lëvizje për Woodstock.
Qyteti i Bethelit nuk i zbatoi kodet e tij të sigurisë, nga frika e kaosit ndërsa turma vazhdonte të shtohej. Përfundimisht, përshkrimet në radio dhe televizion të bllokimeve të trafikut i dekurajuan njerëzit që të vazhdonin për në festival. Për të shtuar problemet dhe vështirësinë në përballimin e turmave të mëdha, reshjet e fundit të shiut kishin shkaktuar baltë në rrugë dhe fusha. Objektet nuk ishin të pajisura për të ofruar shërbime higjienike ose ndihmën e parë për numrin e njerëzve që ishin në lëvizje për Bethel, qindra mijëra e gjetën veten në një luftë kundër motit të keq, mungesës së ushqimit dhe kushteve të këqija higjienike.
Në mëngjesin e së dielës, 17 gusht, Guvernatori i Nju Jorkut Nelson Rockefeller telefonoi organizatorin e festivalit John P. Roberts dhe i tha se po mendonte të urdhëronte 10,000 trupa të Gardës Kombëtare në festival, por Roberts e bindi atë të mos e bënte këtë dhe se gjithçka do të shkojë si duhet. Qarku Sullivan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Gjatë festivalit, personeli nga baza e afërt e Forcave Ajrore “Stewart” ndihmoi në sigurimin e rendit dhe ngritjen e muzikantëve brenda dhe jashtë skenës të koncertit. Shiu më pas e ktheu vendin e festivalit në një det balte, por festivali vazhdoi të mbahej.
Megjithëse turma në Woodstock përjetoi mot të keq, kushte me baltë dhe mungesë ushqimi, uji dhe kanalizime të papërshtatshme, atmosfera e përgjithshme atje ishte tejet harmonike. Audienca e Woodstock ishte e larmishme dhe një reflektim i kohërave që ndryshonin me shpejtësi. Disa ishin hipi që ndiheshin të tjetërsuar nga një shoqëri e zhytur në materializëm.
Në vitin 1969, Amerika ishte thellë e zhytur në luftën e Vietnamit, një konflikt që shumë të rinj e kundërshtuan me forcë. Ishte gjithashtu epoka e lëvizjes për të drejtat civile, një periudhë trazirash dhe protestash të mëdha. Woodstock u bë një ngjarje ku të gjithë amerikanët kundër luftës dhe pro-drogës mund të mblidheshin për të çliruar tensionet e vendit të tyre përmes muzikës. Lëvizjet kundër luftës u mbështetën nga shumë artistë të viteve ’60, të cilët përdorën muzikën si një mjet proteste.Një fokus tjetër i epokës ishte lëvizja për të drejtat civile.
Megjithëse Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964 e shpalli të jashtëligjshëm diskriminimin në SHBA, krimet e urrejtjes kundër afrikano-amerikanëve ishin ende të zakonshme. Woodstock erdhi si një mundësi për njerëzit që të arratiseshin te muzika dhe të përhapnin një mesazh uniteti dhe paqeje. Në Woodstock, artistë afrikano-amerikanë si Richie Havens dhe Jimi Hendrix simbolizuan një epokë ndryshimi për njerëzit me ngjyrë. Richie Havens, që e hapi festivalin, mahniti shpirtin dhe lirinë e turmës së re të mbledhur para tij. Në një kohë kur njerëzit ishin kaq të përqendruar në luftën që po ndodhte në Vietnam, performimi i këngës “Freedom” (Liria) nga Havens u bë një përvojë shpirtërore që inkurajonte paqen.
Hendrix i cili e mbylli festivalin performoi një interpretim psikodelik të “Star-Spangled Banner” (Himni i SHBA), që improvizonte me kitarë tingujt e bombave që binin. Me një performancë që i la njerëzit në mbarë vendin të tronditur, versioni i himnit kombëtar të Hendrix-it pushtoi frymën politike të Woodstock-ut. Një tjetër artiste që përdori muzikën për të shprehur pikëpamjet e saj politike në Voodstock ishte Joan Baez. Në kohën kur Baez doli në skenë burri i saj vuante dënimin në një burg të Teksasit për refuzimin e shkuarjes në luftën e Vietnamit.
Performanca e saj “We Shall Overcome” (Ne do të tejkalojmë) i la njerëzit në koncert të ndiheshin të frymëzuar. Impakti politik dhe shoqëror i ngjarjes ishte aq i fortë sa që nga frika e jehonës së festivalit presidenti i atëhershëm Richard Nixon dhe qeveria amerikane ishin të lumtur që Beatles nuk do të performojnë në koncert e sidomos John Lennon.
Country Joe & The Fish ishte një tjetër grup i paharrueshëm për të performuar në Woodstock. Performimi “The Fish Cheer/ I-Feel-Like-I’m-Fixin’-To-Die-Rag” (Jam i krijuar të vdes në lecka) mishëroi lëvizjen e kundërkulturës dhe u bë një himn për amerikanët në kundërshtim me Luftën e Vietnamit.
Grupe si Grateful Dead, Jefferson Airplane, The Band, Ten Afters After, Cosby Still Nash and Young, The Who, Santana, artistët, Janis Joplin, Joe Cocker, Melanie, Johny Winter, dhe shumë të tjerë nga Amerika dhe Anglia ende sot njihen si performues të cilët përveç se kanë argëtuar me muzikën e tyre, kanë krijuar një frymë të unitetit, paqes dhe dashurisë në Woodstock me të cilën Amerika ende sot krenohet.
Woodstock ndoshta përshkruhet më së miri nga Max Yasgur, fermeri modest që dha hua tokën e tij për këtë rast. “Gati gjysmë milioni njerëz i kaluan tre ditët me muzikë dhe paqe në mendjet e tyre. Nëse ne bashkohemi me ta, ne mund t’i kthejmë ato fatkeqësi që janë problemet e Amerikës sot në një shpresë për një të ardhme më të ndritshme dhe më paqësore. Zoti i bekoftë për këtë!” pat thënë ai. Festivali ishte jashtëzakonisht paqësor duke pasur parasysh numrin e njerëzve dhe kushtet e përfshira, megjithëse pati tre viktima të regjistruara dy mbidoza droge dhe një tjetër, e shkaktuar kur një traktor e shkeli një 17-vjeçare që flinte në një fushë aty pranë.
Kishte lindje që kishin ndodhur në Woodstock, një në një makinë, një tjetër në një spital pas një transporti ajror me helikopter. Kishte një sërë abortesh (burimet variojnë nga katër në tetë). Gjatë tre ditëve, pati 742 mbidoza të drogës. Ndërsa ata brenda ambienteve të festivalit po përjetonin një utopi muzikore, perspektiva e kombit për Woodstock-un në tërësi ishte jashtëzakonisht e ndarë. Ata në mbështetje të festivalit vunë në dukje sjelljen paqësore dhe ndihmuese të “hipive” që u kundërshtuan aq shumë nga mediat kryesore. Ata që ishin kundër festivalit, megjithatë, dënuan drogën, lakuriqësinë dhe trafikun kaotik që rezultoi nga ngjarja tre-ditore.
Një nga rezultatet më të fuqishme të festivalit ishte vetëdijesimi se njerëzit kishin fuqinë për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Woodstock u bë një platformë për lëvizjen e counterculture-s të viteve ’60, duke legjitimuar perspektivat e të rinjve për Luftën e Vietnamit, të drejtat civile dhe lirinë. Jo vetëm që festivali i rock and roll-it erdhi për të simbolizuar counterculture-n e viteve ’60, por ai gjithashtu u bë një pikë referimi historike me rezultate reale politike dhe sociale – një arritje që mund të ndodhte vetëm në Amerikë.
Abbie Hoffman, aktivist politik dhe social, i cili bashkëthemeloi Partinë Ndërkombëtare të Rinisë (“Yippies”) kujtoi ndikimin dhe guximin e brezit të saj gjatë kësaj kohe: “Ne i dhamë fund idesë se mund të dërgonit gjysmë milioni ushtarë në mbarë botën për të luftuar një luftë që njerëzit nuk e mbështesin,” tha Hoffman. “Ne ishim të rinj, të drejtë ndaj vetvetes, të pamatur, hipokritë, trima, budallenj, kokëfortë dhe të trembur deri në vdekje. Dhe kishim të drejtë.”
Woodstock ishte kulmi që i definoi të gjitha ndryshimet e viteve të ’60-ta si në Amerikë ashtu edhe në botë dhe i dha forcë dhe shtytje luftës për ndryshime që ndodhin deri sot, nga barazia gjinore, racore, etnike; vetëdijesoi rininë për fuqinë që mund ta kenë në momente të caktuara historike dhe çka e bënë akoma më të rëndësishëm e tërë ngjarja nuk ishte e planifikuar si e tillë, gjithçka që ndodhi, çdo mesazh, që u përçua ishte spontan dhe i sinqertë.
Livadhi dhe zona përreth ku u mbajt festivali mbeten të ruajtura dhe janë të hapura për vizitorët si pjesë e Qendrës së Arteve Bethel Woods pasi u blenë në vitin 1996 nga pionieri i televizionit kabllor Alan Gerry për këtë qëllim. Qendra u hap më 1 korrik 2006, me një performancë nga Filarmonia e New Yorkut në një skenë pavijoni të sapondërtuar, e vendosur rreth 460 metra afër vendit të skenës së vitit 1969. Vendi i skenës origjinale është bosh, përveç një pllake përkujtimore e cila u vendos në vitin 1984. Aty u shpërnda hiri i Richie Havens në gusht 2013, performuesi i cili e pat hapur festivalin.
Në qershor 2008 Qendra Bethel Woods hapi një muze kushtuar përvojës dhe rëndësisë kulturore të festivalit të Woodstock. Në fund të vitit 2016, Zyra Shtetërore e Ruajtjes Historike të Nju Jorkut aplikoi në Shërbimin e Parkut Kombëtar për të pasur 240 hektarë duke përfshirë vendin e festivalit dhe zonat ngjitur të përdorura për kampe, të listuara në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike./Katror.info