Në aktin e dytë të muzikalit, të Richard Rodger dhe Oscar Hemmerstein, “Carousel” më 19 Prill 1945 Christine Johnson, këngëtare dhe aktore amerikane e operës “contralto”, në rolin e Nettie Fowler, këndon “You’ll Never Walk Alone” (Ti kurrë nuk do të ecësh vetëm) për të ngushëlluar dhe inkurajuar protoganisten tjetër Julie, kur burri i saj, Billy Bigelow, godet veten me thikë duke u përpjekur të ikë pasi tentoi një grabitje dhe vdes në krahët e saj.
Kënga përsëritet në skenën e fundit për të inkurajuar një klasë diplomimi, në të cilën Louise vajza e Billy dhe Julie është anëtare. Billy tani i padukshëm, të cilit i është dhënë mundësia të kthehet në Tokë për një ditë të vetme në mënyrë që të shpengojë veten, shikon ceremoninë dhe motivon në heshtje Louise dhe Julie që të bashkohen me këngën.
Muzikali deri më 1957, performohet rregullisht dhe i fiton të gjitha çmimet e mundshme muzikore, rikthimi i muzikalit ndodhë në vitet 1992 – 1994 , prapë me shumë çmime të fituara dhe vala e fundit e rikthimit fillon më 2018, prapë me sukses. Muzikali adoptohet edhe në film, ku kënga prezantohet nga Clarame Turner dhe Julie Jordan, e cila e përlotur nuk arrin të këndojë këngën deri në fund. Kënga është ripërsëritur e improvizuar nga Julie me të gjithë kastin si fundi i stories.
Pa dyshim, “Carousel” është njëri nga muzikalët më të suksesshëm, por njëra këngë nga ky muzikal merr rrugën e vet dhe do të jetojë jetën e vet duke u bërë më e madhe se vetë muzikali, duke u bërë himn e miliona njerëzve në tërë botën falë klubit të futbollit Liverpool.
“You”ll Never Walk Alone” u bë një hit i menjëhershëm në atë kohë për shkak të lidhjes së saj emocionale me Luftën e Dytë Botërore dhe kjo çoi në rikrijimin e shumë versioneve të saj në zhanre të ndryshme muzikore.
Kompozimi nganjëherë trajtohet nga interpretuesit si një këngë e thellë shpirtërore, si për shembull me versionin e vitit 1967 nga Elvis Presley, i cili u shfaq në disa nga albumet e tij gospel. Kënga është kënduar po ashtu nga Frank Sinatra, Barbara Streisand, Nina Simone, tenori i famshëm Luciano Pavarotti.
Në Britaninë e Madhe versioni më i suksesshëe i këngës u publikua në vitin 1963 nga grupi Liverpulian Gerry and the Pacemakers, të cilët ishin pjesë e valës Britanike të nxitur nga Beatlmania, duke u ngjitur në vendin e parë në listat në Mbretërinë e Bashkuar për katër javë rresht. Versioni i grupit arriti gjithashtu në krye të listave në Australi, Irlandë dhe Zelandën e Re.
Por, kënga mori pavdekshmërinë e saj kur fitoi popullaritet në mesin e fansave të klubit futbollistik Liverpool. Kënga nga kjo kohë këndohej nga mbështetësit e saj para fillimit të çdo ndeshjeje në stadiumin Anfield me versionin Gerry and the Pacemakers “You”ll Never Walk Alone” dhe shpejt u miratua si moto zyrtare në stemën e klubit. Sipas ish-lojtarit Tommy Smith, pasi që trajneri Bill Shankley e kishte vërejtur se fansat këndojnë këngën para dhe në fund të ndeshjeve, vokalisti kryesor Gerry Marsden, i cili e këndoi këngën, i prezantoi trajnerit legjendar të Liverpoolit, një inçizim të këngës. Në “The Ed Sullivan Show” Marsden pat thënë, se Shankley pasi që i kishte dëgjuar fansat të këndojnë i kishte thënë, “Gerry biri im, unë të kam dhënë një ekip futbolli dhe ti na ke dhënë një këngë.”
Kur tifozët e Liverpool-it kënduan “You’ll Never Walk Alone” në Wembley gjatë fitores së finales së Kupës FA të vitit 1965 ndaj Leeds, komentatori Kenneth Wolstenholme e quajti atë si “melodi e nënshkrimit të Liverpoolit”.
Ndjesia e futbollistëve që këndonin me mbështetësit e tyre në stadiumin Anfield frymëzoi grupin Pink Floyd që ta përfshinte këngën në një nga këngët e tyre. Ata incizuan një turmë fansash duke kënduar “You’ll Never Walk Alone” në këngën e tyre “Fearless” (I patrembur) në albumin e vitit 1971 “Meddle”.
Në vitin 2013, në 50 vjetorin e këngës që këndohej në Anfield, Simon Hart i “The Independent” shkroi: “Pesë dekada më vonë, rituali para ndeshjes, i ngritur me shalle, i kënduar me zë të lartë është po aq pjesë e pëlhurës së Liverpool-it sa bluzat e tyre të kuqe dhe fjalët e saj të shkruara me hekur të punuar në portat e stadiumit të tyre.”
Në dallim nga himnet tjera sportive ku zakonisht bëhet thirrje për mposhtjen e kundërshtarit ose glorifikimin e klubit, “You Never Walk Alone” ka mesazhin unifikues dhe paqësor, ajo inkurajon se nuk duhet të humbim besimin në vetveten, dhe se duhet besuar dhe mbështetur edhe në përkrahjen e të tjerëve, dhe sado që ndonjëherë është vështirë të ecim vetë, duhet të ecim me shpresë në zemër, në këtë mënyrë nuk ecim kurrë të vetmuar.
Legjenda thotë se efekti motivues i fansave kur këndojnë “You’ll Never Walk Alone” u jep lojtarëve shpresë kur gjithçka duket e humbur.
Johan Cryff, legjenda e Ajaxit dhe Barcelonës, shpesh herë kundërshtar i rreptë në fushën e Liverpooli-t pat thënë: “Nuk ka asnjë klub në Evropë me një himn si ‘You’ll Never Walk Alone’. Nuk ka asnjë klub në botë kaq të bashkuar me tifozët. U ula në Anfield duke parë tifozët e Liverpool-it dhe ata më bënë të dridhem. Një masë prej 40,000 vetash u bë një forcë pas ekipit të tyre”.
Kënga ka arritur statusin mitik në njërën nga ndeshjet më sensacionale në historinë e futbollit kur Liverpool ishte duke humbur 3-0 në pjesën e parë kundër AC Milan në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2005 në Stamboll. Gjatë ndërprerjes për pjesën e dytë tifozët e Liverpoolit, mbi 40.000 sosh e bënë të jehojë Stadiumin Olimpik Atatürk të Stambollit për pjesën tjetër të ndeshjes, me një version rrëqethës gati trazues, që depërtonte thellë në kockat e kundërshtarit. Gjithë bota e di se çfarë ndodhi më pas, Liverpooli në mënyrë sensacionale në pjesën e dytë e deklasoi kundërshtarin që asokohe ishte klubi më i fortë në botë, dhe fitoi kupën e Kampionëve.
Por, ky nuk ishte rast i izoluar. Ky akt i vogël sfide përballë vështirësisë e galvanizoi skuadrën e Liverpool-it shumë herë në historinë e klubit.
Por, për klubin e edhe për qytetin e Liverpool -it kënga ka edhe një kuptim më të thellë shpirtëror, teksti dhe temat e këngës gjithashtu mbajtën një vend të shquar pas tragjedisë Hillsborough.
Në vitin 1989, një përplasje fatale ndodhi gjatë ndeshjes gjysmëfinale të Kupës FA midis Liverpool dhe Nottingham Forest në stadiumin Hillsborough në Sheffield. Qindra u lënduan dhe 96 fansa të Liverpoolit humbën jetën. Teksti i këngës ofroi ngushëllim, por edhe vendosmëri – “Walk through the wind, walk through the rain” (Ec përmes erës, ec përmes shiut), nxit ajo, “and you never walk alone”… (dhe kurrë nuk do të ecësh vetëm). Një ditë pas tragjedisë, një djalë kori këndoi “You’ll Never Walk Alone” në një shërbim përkujtimor me një pjesëmarrje prej 13,000 njerëzve – 5,000 në kishë dhe 8,000 në rrugët përreth. Performanca e jashtëzakonshme “i ofroi ngushëllim dhe shpresë qytetit të Liverpoolit i mbuluar në zi”.
Tragjedia u pasua nga një betejë ligjore 32-vjeçare. Më 12 shtator 2012, Paneli i Pavarur i Hillsborough arriti në përfundimin se asnjë tifoz i Liverpoolit nuk ishte përgjegjës në asnjë mënyrë për katastrofën, dhe se shkaku kryesor i saj ishte organizimi i dobët i stadiumit Hillsborough, mungesa e kontrollit policor dhe përpjekjet e paorganizuara të shpëtimit që kontribuuan në vdekjen e fansave.
Në vitin 2009, për të shënuar 20 vjet nga tragjedia, vetë Marsden vokalisti origjinal i grupit performoi një version emocional të këngës në Anfield gjatë koncertit përkujtimor.
Në komentin e tij për shërbimin përkujtimor pas katastrofës Hillsborough në 1989, Peter Jones komentator i famshëm i sportit recitoi tekstet, të cilat më pas u kënduan nga një kor katedrale me incizimin e këngës nga Aretha Franklin.
Nga ana historike e klubit “You’ll Never Walk Alone” mund të konsiderohet si forcë që bën lidhjen nga Shankly, Paisly tek Dalglish, tek Benítez dhe Klopp, të gjithë menaxherë të famshëm në 60 vitet e fundit, dhe një lloj bote muzikore që përshkruan rrugën e Liverpoolit, që suksesi i një ekipi nuk është thjesht rezultat i nënshkrimit të talenteve të jashtëzakonshme, por përkundrazi nxitjes së një shpirti harmonik të bashkimit që përshkon klubin, nga lojtarët dhe menaxheri në dhomën e kompleteve, stafin e mensës, kujdestarët, pastruesit, tifozët dhe komunitetin e gjerë.
Në disa zona në Angli dhe disa vende të Evropës, “You’ll Never Walk Alone” u bë himni i mbështetjes për stafin mjekësor, reaguesit e parë dhe ata në karantinë gjatë pandemisë COVID-19. Në mars të vitit 2020, pak pasi pandemia e detyroi Mbretërinë e Bashkuar të mbyllej, Klopp foli për dëgjimin e punonjësve të ndihmës së parë në vijën e parë duke kënduar këngën ndërsa ishin në detyrë. “Më dërguan një video të njerëzve në spital jashtë zonës së kujdesit intensiv dhe kur ata filluan të këndonin ‘You’ll Never Walk Alone’ fillova të qaja”, tha ai.
Kënga me kohë u miratua nga shumë klube sportive anembanë botës për himn të tyre. Skuadra skoceze Celtic pas një gjysmëfinaleje të Kupës së Fituesve kundër Liverpool në Anfield, e miraton dhe tani këndohet nga tifozët e Celtic para çdo ndeshjeje evropiane në shtëpi.
Në Gjermani Borussia Dortmund dhe Mainz e kanë marrë si himn të vetin, klubi holandez FC Twente e morri pasi iu dha zyrtarisht atyre nga folësi i stadiumit Anfield të Liverpoolit, George Sephton, Feyenoord dhe SC Cambuur e kanë miratuar këngën gjithashtu. Kënga ka shkuar edhe jashtë kontinentit evropian klubi Japonez FC Tokyo e ka marrë si himn të vetin. Po ashtu, në Australi në vitin 2013, kur Liverpool luajti ndeshje miqësore para-sezonale, 95,000 tifozë u grumbulluan në Melbourne Cricket Ground dhe krijuan një kor të jashtëzakonshëm para ndeshjes duke kënduar “You’ll Never Walk Alone”.
Një regjistrim i veçantë i këngës u bë në solidaritet me Bradford City pas zjarrit në Valley Parade në 1985, kur 56 spektatorë vdiqën dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Kënga u interpretua nga The Crowd, i cili ishte një supergrup me Gerry Marsden, Paul McCartney dhe të tjerë.
Në prill 2020, për të përkrahur kapitenin 99-vjeçar Tom Moore që përfundonte fazën e parë të ecjes së tij për mbledhjen e fondeve gjatë pandemisë COVID-19, aktori, këngëtari dhe transmetuesi anglez, Michael Ball këndoi “You’ll Never Walk Alone” për të drejtpërdrejt në “ BBC Morning Live”. Brenda 24 orëve, performanca u regjistrua dhe u shndërrua në një këngë digjitale me korin e “Voices of Care” dhe fjalët e folura të Moore. Ajo u publikua nga Decca Records më 17 Prill, dhe të gjitha fitimet u dhanë për organizatën humanitare “Charities Together” për viktimat e COVID 19.
Më 2007 pasi dëshmoi një interpretim të “You’ll Never Walk Alone” në stadiumin Anfield të Liverpoolit, Presidenti i Komitetit Olimpik Spanjoll, Alejandro Blanco, tha se ndihej i frymëzuar për të kërkuar tekstin e himnit kombëtar pa fjalë të vendit të tij, “Marcha Real”, para ofertës së Madridit për të pritur Lojërat Olimpike. Gjatë protestave të Hong Kongut 2014, ligjvënësi Tam Yiu Chung citoi këngën gjatë një takimi të Këshillit Legjislativ të Hong Kongut, për të përshëndetur Policinë e Hong Kongut, e cila kishte marrë kritika të gjera për përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve pro-demokracisë. Më shumë se 5,000 tifozë të Klubit të Futbollit Liverpool në Hong Kong dhe shumë të tjerë anembanë botës dënuan përdorimin e tij të papërshtatshëm të këngës, duke e krahasuar mbështetjen e tij për aksionin e policisë me veprimet e policisë në fatkeqësinë e Hillsborough të vitit 1989, ku policia e South Yorkshire u zbulua se kishte shtrembëruar fakte në lidhje me tragjedinë ku gjetën vdekjen 97 mbështetës të Liverpool-it.
Më 13 mars 2016, pas fitores 2–0 të Borussia Dortmund kundër FSV Mainz 05 në Bundesligën Gjermane, mbështetësit e të dy skuadrave performuan këngën për të përkujtuar një tifoz të Dortmundit që vdiq nga një arrest kardiak në tribunë gjatë lojës.
Ndoshta kjo është magjia e këngës së duhur–që e kapërcen statusin e saj si himni më i famshëm i sportit në botë dhe ofron ngushëllim dhe solidaritet për këdo që përballet me vështirësi. Siç premton teksti: “Në fund të stuhisë / Ka një qiell të artë, / Një këngë e ëmbël e zogut të argjendtë larkë.”
Është një mesazh që të gjithë me siguri mund ta marrim dhe përçojmë duke dëgjuar këtë himn të pavdekshëm falë edhe klubit edhe fansave të Liverpool-it./Katror.info