Arkeologët në Poloni kanë zbuluar diçka të jashtëzakonshme: një helmetë bronzi 2300-vjeçare, së bashku me artefakte të tjera, që shënojnë provat e para të vendbanimeve kelte në Poloninë veriore.
Ky zbulim, i udhëhequr nga Bartlomiej Kaczynski nga Muzeu Arkeologjik Shtetëror i Varshavës, tregon se keltët ishin të pranishëm në rajon.
Më parë, keltët dihej se kishin kolonizuar Poloninë jugore, por dëshmitë e pranisë së tyre në veri ishin të pakta deri më tani, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Përkrenarja e punuar nga bronzi i hollë përmban një majë konike, duke pasqyruar lidhjen e saj me elitat kelte, njoftoi Muzeu Arkeologjik Shtetëror.
Ajo u gjet pranë Chorzele, rreth 105 kilometra në veri të Varshavës.
Zbulimi është domethënës pasi përfaqëson vendin më verilindor në Evropë ku janë dokumentuar keltët.
Përveç helmetës, gërmimi zbuloi mbi 300 artefakte të lashta, duke përfshirë katër sëpata hekuri dhe një shpatë hekuri.
Ekipi zbuloi gjithashtu zbukurime kelte, karfica dhe disa mjete të panjohura më parë në Poloni, si dalta hekuri dhe gërshërë.
Në përgjithësi, këto zbulime hedhin dritë mbi shtrirjen e ndikimit kelt dhe rëndësinë e tyre strategjike në rrjetet e lashta tregtare. /Katror.info