Aktorja e famshme e Hollywood-it Kate Winslet ka dhuruar afro 19,000 euro për një nënë që përballej me një faturë të lartë të energjisë elektrike, e cila shfrytëzohej për të mbajtur në jetë vajzën e saj të sëmurë.
Carolynne Hunter u paralajmërua se fatura e saj e energjisë mund të arrijë shumën e lartë vitin e ardhshëm, raporton BBC.
Vajza e saj Freya, 12 vjeç, ka paralizë cerebrale të rëndë dhe mbështetet në marrjen e oksigjenit për problemet kronike të frymëmarrjes.
Hunter tha se ishte befasuar kur aktorja e Titanikut ndërhyri teksa ajo po rrëfente “luftën” e saj për BBC Scotland.
Winslet dhuroi rreth 19 mijë euro në faqen e familjes GoFundMe dhe kontaktoi Hunter për t’i uruar atyre mbarësi.
“Udhëtimi ynë si familje ka qenë shumë traumatik dhe unë thjesht ndihem e përfunduar në këtë pikë të jetës sime. Kur dëgjova për paratë, shpërtheva në lot – mendova se nuk ishin as të vërteta. Ende po mendoj a është kjo e vërtetë?”, ka thënë Hunter.
Asaj i kushton mbi 7,000 euro në vit funksionimi i pajisjes për oksigjenin për të bijën dhe për të ngrohur shtëpinë – megjithëse Hunter ka thënë se kishte fikur ngrohjen në shumicën e dhomave për të kursyer para.
Hunter shqetësohet gjithashtu se ndërprerjet e mundshme të energjisë dimërore në rast të furnizimit të reduktuar me gaz – rezultat i luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, mund të rrezikojnë kujdesin e Freyas.