Klubi kryeqytetas i futbollit FC Prishtina ka zgjidhur sot ngërçin e pronësisë. Rrahman Haradini i ka përvetësuar shumicën e aksioneve në FC Prishtina, ndërkaq ish presidenti Remzi Ejupi është larguar nga klubi. Aksionarët e KF Prishtinës janë mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është definuar e ardhmja e drejtimit të klubit më të trofeshëm të Kosovës.
Aksionari kryesor i Prishtinës do të jetë Rrahman Haradini, i cili ka marrë përsipër shumicën e aksioneve në klub. Deri më sot, Haradini posedonte 34 për qind të aksioneve të klubit, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).
Drejtori i përgjithshëm Artan Osmani, tha për Telegrafin se shumica e aksioneve janë blerë nga Rrahman Haradini, i cili tashmë ka mbi 80 për qind të aksioneve, gati 90 për qind, ndërsa disa tjera të vogla janë blerë nga aksionarët tjerë.
“Kuvendi ka shkuar i gjithi në rregull, janë nënshkruar dokumentet, janë pajtuar të gjithë të pranishmit dhe tani do të procesojme me punët tjera”.
Në fund, drejtori i Prishtinës konfirmoi se në klub kanë mbetur ende edhe pesë aksionerë tjerë të vogël që posedojnë pak më shumë se 10 për qind të aksioneve të klubit bardhekalter.
“Në klub ende janë edhe pesë aksionarë tjerë: Hashim Deshishku, Ragip Mustafa, Hakif Gashi, Fatos Hoxha dhe Beqir Qerkezi”, përfundoi drejtori i Prishtinës.
Po ashtu sot janë zgjedhur anëtarët e bordit: Ragip Mustafa, Hashim Deshishku, Beqir Çerkezi dhe Fatos Hoxha.
Sipas burimeve të Telegrafit, Haradini tashmë është kryetar apo president i Prishtinës, Deshishku dhe Mustafa nën-kryetarë dhe Qerkezi dhe Hoxha anëtar të bordit./Katror.info