Përveç që zhanri “country” tashmë po dominon industrinë muzikore, ky trend pritet të vazhdojë, ka vlerësuar uebfaqja “Morning Brew” në një shkrim së fundmi. Ka marrë për bazë faktin që yjet më të mëdha muzikore po kthejnë fokusin kah ky zhanër.
Përderisa ylli më i përfolur botëror viteve të fundit, Taylor Swift, ka filluar karrierën e saj duke kënduar këngë të zhanrit “country”, këngëtarja tjetër me famë botërore Beyonce, paralajmëroi albumin e saj të ri “Act II” nëpërmjet një reklame për kompaninë e telekomunikimit “Verizon” dhe i publikoi dy këngë në Instagram ndërsa po shikonte ndeshjen “Super Bowl”. Ylli global lansoi këngët “Texas Hold’Em” dhe “16 Carriages”, ndërsa albumi pritet të dalë përgjatë muajit të ardhshëm dhe thuhet se do të jetë në zhanrin “Country”.
Faqja “Morning Brew” në Instagram ka shkruar se një album që i përket këtij zhanri do ta lansojë në shtator edhe këngëtarja e famshme Lana Del Ray, transmeton koha.
“Industria e muzikës po shkon kah ‘Country’”, ka thënë Del Ray për “Billboard”.
Këngëtari Post Malone, i cili debutoi vitin e kaluar me këngë “country”, ka konfirmuar se po përgatit një album të këtij stili po ashtu.
Zhanri në rritje duhet t’i falënderohet muzikantit Morgan Wallen, i cili thuhet se filloi trendin pasi disa këngë të tij “country” shënuan rritje në transmetime për 24% gjatë vitit të kaluar.
“Country” si zhanër ka origjinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nisi në vitet 1920 me fokus te klasa punëtore amerikane./Katror.info