Edon Zhegrova e ka përsëritur ëndrrën e tij për të luajtur në një klub të madh. Më saktësisht, ylli kosovar që nga fëmijëria e ka ëndërr transferimin në Barcelonë dhe këtë e ka konfirmuar edhe në intervistën e tij të fundit.
“Unë jam duke punuar shumë. Kam bërë progres në anën fizike dhe taktike. Nuk do të ndalem derisa të arrij atje (transferimin tek Barça). Por, në futboll nuk i dihet. Po shpresoj që ta kem shëndetin, të vazhdoj të punoj dhe pastaj tjerat vijnë”, tha Zhegrova për Klan Kosova.
“Pas Lillet synimi im është që të shkoj në një ekip më të madh botëror. Nuk do të ndalem derisa ta arrij qëllimin që të luaj në ekipet më të mëdha botërore. Besoj që e kam kualitetin”, vazhdoi futbollisti anësor ofanziv.
Ai është bërë një lojtar kyç i skuadrës së Lille. 24-vjeçari ishte protagonist në dy ndeshje për skuadrën franceze.
Edon Zhegrova, javën e kaluar realizoi dy gola kundër Lorient duke ia mundësuar fitoren ekipit të tij.
Edhe mbrëmë Zhegrova ishte kreator i fitores së Lille, e cila fitoi me përmbysje ndaj Montpellier me rezultat 2:1./Katror.info