Në Prishtinë është hapur edhe zyrtarisht ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.
Hapja zyrtare u bë më 10.06.2024 në ora 18:00 dhe ekspozita do të jetë e hapur deri në gjysmë të muajit shtator.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorë të vendeve mike e udhëheqës misionesh ndërkombëtare në Kosovë.
Presidentja Osmani tha se nuk beson që ka familje në Kosovë që nuk ka humbur dikë gjatë luftës në Kosovë. Ajo shtoi se çdo skenë që është shfaqur në ekspozitën “Reporting House” i kujton njerëzit që nuk janë.
“Është një rikthim në të kaluarën, një e kaluar jashtëzakonisht e dhimbshme, një e kaluar që është akoma plagë e hapur për shumë familje në Kosovë, por mbi të gjitha nga një e kaluar nga e cila duhet të mësojmë shumë. Mësimi kryesor është që të vërtetën duhet ta mbrojmë me çdo kusht e çdo çmim, njësoj siç e kanë mbrojtur të vërteten rreth krimeve serbe në atë kohë mediat ndërkombëtare së bashku me bashkëpunëtorët e tyre këtu në Kosovë dhe u siguruan që në një kohë kur ne nuk kishim zë, kur s’kishim teknologji informative e platforma të rrjeteve sociale, ata e treguan të vërtetën tonë dhe e plasuan atë para syve të botës” – tha Osmani.Presidentja ka thënë gjithashtu se për shkak të storjeve të këtyre gazetarëve u njoh e vërteta për Kosovën.
Ajo ka përgëzuar edhe organizatorët e ekspozitës “Reporting House” për punën e bërë.
“E vërteta as nuk mund të mangohet, as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës, janë këta njerëz që ju i shihni këtu. E falënderoj gjithësecilin për kontributin dhe i inkurajoj që të vazhdojnë bashkëpunimin në mënyrë që të gjithë së bashku ta luftojmë çdo tendencë të historisë që paraqet Kosovën si agresor e Serbinë si viktimë sepse të gjithë e dinë siç e kanë parë me sytë e vet, Kosova ka qenë viktimë e një gjenocidi të regjimit të Millosheviqit dhe për fat të keq akoma nuk ka pasur drejtësi për asnjë nga masakrat e krimet që sot i shohim të prezantuara edhe nëpërmjet ekraneve këtu. Edhe një herë përgëzime për punën, por nuk duhet të ndalemi me kaq” – tha tutje Osmani.
Ndryshe ekspozita është hapur këtë të hënë (10.06.2024) dhe do të jetë e hapur deri në gjysmë të muajit shtator.
Në konferencën për shtyp të realizuesve, kontribuuesve e artistëve të kësaj ekspozite gjatë ditës u tha se “Reporting House” është dëshmi e punës së madhe që kanë bërë gazetarët vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.
E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan./Katror.info