Për shumëkë e posaçërisht për gratë, emri dhe kontributi i Igballe Rogovës në konsolidimin, organizmin dhe avokimin për të drejtat e grave është i paçmueshëm.
Ajo është ndër figurat më eminente që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kosovare si aktiviste dhe avokuese e shquar për të drejtat e grave në Kosovë.
Që nga viti 1989, së bashku me motrën e saj Safete Rogova dhe disa intelektualë të tjerë, kanë themeluar shoqatën “Motrat Qiriazi”. Ajo ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve e organizimeve, duke përfshirë edhe protestat për të drejtat e grave dhe për liri të Kosovës.
Sot është drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, organizatë kjo që nën ombrellën e saj numëron mbi 140 organizata nga të gjitha etnitetet e Kosovës.
Në intervisten e dhënë për serinë e podkasteve “SpotLight”, ajo shpalos punën e pashoq në avokimin për të drejtat e grave, nga buroi idea për themelimit të shoqatës “Motrat Qiriazi”, kontributin e saj për themelimin e Lobit Rajonal për Paqe, Drejtësi dhe Siguri në Evropën Juglindore, dhe shumëçka tjetër.
“…Ideja për me kriju kurse kundër analfabetizmit, edhe e quajtëm, e organizuam natyrisht shoqatën Motrat Qiriazi, e quajtëm motrat Qiriazi për një arsye shumë të madhe që po du me nda me juve. Motrat Qiriazi siç e dimë e kanë hapur shkollën e parë në Korçë, por në histori ka hyrë që vëllai i tyre ka qenë ai që e ka hapur shkollën, dmth nuk janë përmendur këto. E di këtë nga kurrikula që unë kam kaluar në shkollë, nuk është përmendur, dhe ne deshëm me kthy historikun e emrave të tyre. Edhe kësisoji e quajtëm shoqatën “Motrat Qiriazi,” por e them me shumë krenari që sot kemi jo vetëm në shkolla që e mësojnë historinë e vërtetë, por kemi shumë shkolla që quhen ‘Motrat Qiriazi’, shumë rrugë besa, edhe jam krenare me të vërtetë për atë që kemi bërë bashkë”, u shpreh Rogova.
Teksa themelimi i shoqatës në fillet e veta ishte tejet sfidues ajo tregoi edhe për interesimin e madh për të kontribuuar edhe shumë figura, përmes dhurimit të pajisjeve e donacioneve të tjera.
“Fillimisht e nisëm në Kodrën e Trimave, e pastaj na erdhën shumë intelektualë me kontribu, ishte Mehmet Gjevori i ndjeri, atëherë ka kontribuar shumë, edhe pastaj zonja Sanije Gashi ka drejtuar atëherë “Kosovaren”, ne fakt e ka themeluar ajo, edhe pastaj ajo e printoi në revistën “Kosovarja” këtë lajmin për kursin e parë, që ne e filluam në Kodrën e Trimave edhe përnjëherë Gona patëm thirrje nga gjithë Kosova edhe ne po dojmë me fillu kurse edhe u bonë 64 grupe, prandaj ishte e nevojshme të krijohej shoqata. Këtu na ka ndihmuar shumë edhe burri i Safetes, Nuredin Loxha. Bashkarisht ne tretë ishim gjithë kohën në kontakt për me ndihmu edhe t’i quaj këto degët tjera të kurseve, por du me përmend ka pasur një interesim jashtëzakonisht të madh edhe nga burrat besa, edhe nga gratë për me mësu shkrim lexim. Dhe gjithë ai kontribut i qytetarëve për me na dhuru, sepse ka qenë pa donatorë… me dhuru lapsa, fletore, d.m.th. ka qenë një mobilizim dhe një kohë që bile tash rrëqethem kur e kujtoj atë kohë. E ne në njëfarë mënyre e kemi një rrënjë nga Hasi dhe menduam që të koncentrohemi në atë rajon dhe të kontribuojmë në atë rajon”, shtoi tutje Rogova.
Ndërkaq, pavarësisht rrethanave sfiduese të asaj kohe, Rogova bashkë me bashkëpuntore vazhdoi punën dhe aktivitetet për emancipimin dhe edukimin e rajonit të Hasit.
” Në Has kemi hapur shumë biblioteka duke falënderuar gjithashtu Shtëpinë Botuese Buzuku në atë kohë na ka ndihmuar shumë edhe qytetarët që kanë dhuruar libra kemi hapur 11 biblioteka nëpër fshatrat e Hasit”, tregon ajo.
Ndërkaq në vitin 2000, Rugova nisi punën për themelimin e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, një grup organizatash të grave që janë marrë kryesisht me çështje gjinore dhe çështje humanitare, ndërsa në vitin 2006 u krijua koalicioni i Koalicioni i Grave për Paqe dhe Lobi Rajonal për Paqe, Drejtësi dhe Siguri në Evropën Juglindore.
Ajo flet se si gjithë këto organizime kontribuuan në fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare duke e vendosur gruan në qendër të proceseve të cilat u shpalosën pastaj.
“Po në atë kohë ne e takuam shoqatën e grave “Gratë në të Zeza” nga Beogradi… ne vazhduam me bashkëpunu edhe pas luftës, vinin në Kosovë, ishin këtu për me gjetë mënyra të ndryshme se si të avokojnë për të drejtat e grave në Kosovë dhe kur e panë në kohën, e negociatave të udhëhequra nga zoti Ahtisaari, tashmë i ndjeri, ishte një mungesë e madhe e grave te të dy palëve, në Serbi dhe Kosovë në grupet negociatore… Gratë nga Kosova dhe gratë nga Serbia u mblodhën për ta kriju Lobin Rajonal për Paqe dhe Siguri që të jemi një zë në kohën e negociatave, ta tregojmë atë perspektivën e grave edhe në këtë proces të negociatave dhe çka bënim ne, takoheshim para se të takoheshin grupet negociatore, d.m.th. dy shtetet, ne takoheshim dhe e diskutonim atë temë”, u shpreh tutje Rugova.
Sipas saj, angazhimi dhe bashkëpunimi i shoqërisë civile të Kosovës me shoqërinë civile të Serbisë nënkupton se gratë janë një hap përpara politikave dhe politikëbërësve në Kosovë, si në Serbi për të arritur pajtimin.
“I kam dërguar disa letra, i kam reaguar qeverisë që nuk është me rëndësi që të kemi vetëm një grua brenda negociatave, por të kemi një zë të grave që janë vazhdimisht në terren edhe ta interpretojnë atë zërin e tyre brenda, jo përmes nesh, por përmes zyrtarëve, por duhet ne të dëgjohemi e të këshillohemi, te marrin këshillat tona edhe sot e kësaj dite”, përfundoi Rogova./Katror.info
Kjo intervistë u zhvillua në kuadër të edicionit të podcasteve nga SHE Solutions për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.