Muzeu Sámi Siida, i cili në veriun e largët të Finlandës tregon dhe mbështet kulturën e popullit sami, është Muzeu Evropian i Vitit 2024.
Zgjedhja e muzeut si muzeu evropian i vitit, sipas jurisë, shpërblen “procesin e tij të hapur, pjesëmarrës dhe transparent të integrimit, i cili krijon mundësi të reja për lidhjen mes të kaluarës dhe të tashmes për komunitetet lokale dhe popullsinë në përgjithësi”.
I themeluar në vitin 1959 dhe i rinovuar plotësisht në vendndodhjen e tij aktuale në vitin 2022, Muzeu Sámi Siida është muzeu kombëtar i popullit sami të Finlandës, e vetmja kulturë indigjene e njohur në Evropë.
Është gjithashtu i vetmi institucion muzeor finlandez që bashkon dhe mbron në mënyrë aktive trashëgiminë kulturore materiale dhe jo-materiale të samëve, duke kryer kërkime të vazhdueshme bazuar në koleksionet e tij.
Projekti kombinon çmimin për Muzeun Evropian të Vitit, i krijuar në vitin 1977 nën kujdesin e Këshillit të Evropës, me çmime të tjera që u janë dhënë muzeve në Poloni, Greqi, Estoni dhe Britani të Madhe.
Çmimi Kenneth Hudson për guximin institucional dhe integritetin profesional shkoi për Ihor Poshyvailo, drejtor i përgjithshëm i Muzeut Maidan në Kiev, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Ukrainës në kaosin e luftës në vazhdim.
Muzeu Memorial Sybir, i inauguruar në vitin 2021 në Bialystok, Poloni, pranë kufirit me Bjellorusinë, mori çmimin e dhënë çdo vit nga Këshilli i Evropës për institucionin që ka kontribuar ndjeshëm në mbështetjen e të drejtave të njeriut dhe qytetarisë demokratike. Një çmim i veçantë iu dha gjithashtu Muzeut të Fëmijëve Zoom në Vjenë për aftësinë e tij për t’u mësuar fëmijëve sjellje të përgjegjshme dhe etike, duke siguruar një përvojë argëtuese dhe të paharrueshme gjatë vizitës./Katror.info