Shkruan Valon Raka
Kosova gjendet në një fazë të re të zhvillimit ekonomik e rrjedhimisht edhe atij shoqëror. Tërë ky transformim bie edhe trende të reja dhe shoqëria synon që të merret me gjëra që e ngritin cilësinë e jetës.
Ndër to janë edhe dalja në natyrë, hikingu, një kujdes më i shtuar ndaj mjedisit, vizitat brenda dhe jashtë vendit. Tërë kjo dinamikë nxit edhe kureshtjen e kosovarëve se pse ne nuk e kemi një vend të pastër si shumë vende të tjera në botë? Ajo që tani ne duhet ta pyesim veten është: A mundemi ne të bëjmë Kosovën një vend të pastër, dinamik, atraktiv për veten tonë e turistët e huaj, si dhe a mund të arrihet kjo?
Pyetje të ngjashme kanë bërë edhe popujt tjerë në të kaluarën. Shumë nga këto shtete e regjione vetëm se kanë kaluar në një fazë të re dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyeshme në vetëdijesimin kolektiv të masave popullore, por edhe kanë ndryshuar gjendjen e mjedisit ku jetojnë.
Sot është Dita e Tokës, po çka do të thotë kjo datë për mjedisin, natyrën dhe aktivitetin njerëzor? Dita e parë e Tokës u festua në vitin 1970, kur një senator i Shteteve të Bashkuara nga Wisconsin organizoi një demonstratë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore.
Protesta u zhvilluan në të gjithë vendin dhe deri në fund të vitit, qeveria e SHBA kishte krijuar Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit. Nga fillimi i viteve 1960, Amerika po ndërgjegjësohej për efektet e ndotjes në mjedis. Në fillim ishte libri bestseller i Rachel Carson i vitit 1962 “Pranvera e heshtur” që ngriti spektrin e efekteve të rrezikshme të pesticideve në fshatrat amerikane.
Më vonë gjatë dekadës, fakt interesant ishte një zjarr i vitit 1969 në lumin Cuyahoga të Cleveland. që hodhi dritë mbi problemin e asgjësimit të mbetjeve kimike. I tërë lumi mori flakë, një paradoks mjedisor, por edhe alarm se si mund të marrë flake një lum i tërë. Deri në atë kohë, mbrojtja e burimeve natyrore të planetit nuk ishte pjesë e agjendës politike kombëtare dhe numri i aktivistëve të përkushtuar ndaj çështjeve në shkallë të gjerë si ndotja industriale ishte minimal.
Fabrikat hidhnin ndotës në ajër, liqene dhe lumenj me pak pasoja ligjore. Makineria e prodhimit të gazit konsiderohej si shenjë prosperiteti. Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë amerikane e njihte – e lëre më praktikonte – riciklimin. E tani e tërë bota merr shembullin e aktivizmit qytetar dhe angazhohemi në këtë ditë për ngritjen e vetëdijes që së bashku me palë interesi, qytetarë, nxënës, biznese, institucionet tona të kemi një mjedis më të mirë dhe një vetëdije më të ngritur. Synimi ynë është larg një bote ideale pa probleme mjedisore, por beteja tanimë ka filluar dhe ne do të ia dalim.
Valon Raka është aktivist mjedisor