Poliklinika Specialistike e Podujevës ka hapur zyrtarisht 15 shërbime të reja mjekësore, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kujdesit shëndetësor në rajonin e Llapit. Ky investim, me vlerë prej afër 2.43 milionë euro, u realizua në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Podujevës dhe Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), shkruan Katror.info.
Në ceremoni morën pjesë Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë në detyrë, z. Arben Vitia, drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, Ushtruesi i detyrës i drejtorit të Departamentit Shëndetësor në ShSKUK, z. Ardian Shefkiu, si dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi.
Me këtë hap, qytetarët e Podujevës dhe të gjithë rajonit të Llapit nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë në Prishtinë për shërbime specialistike. Poliklinika tashmë ofron ambiente të reja dhe të rregulluara, pajisje moderne, standarde të larta të mirëmbajtjes dhe pastërtisë, ndriçim të përshtatshëm dhe kushte të plota për trajtim dinjitoz.
ShSKUK ka paralajmëruar angazhimin e profesionistëve shëndetësorë dhe mjekëve për ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese, duke siguruar kujdes më cilësor dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët e rajonit./Katror.info