Pas nënshkrimit të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani, partitë politike kanë nisur konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ish-opozita ka kërkuar që votimet të mbahen sa më shpejt, ndërsa si datë më e favorshme po përmendet 21 dhjetori.
Kreu i grupit negociator të PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me presidenten, deklaroi se vendi nuk duhet të humbasë më kohë. “Duam zgjedhje më 21 dhjetor – sa më shpejt. Nuk shkon të flasësh për urgjencë e të shtyhet data,” tha ai.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mbështeti datën 21 dhjetor, duke e konsideruar atë më të përshtatshme për shkak të obligimeve buxhetore. “Kosovës i është humbur shumë kohë dhe ka akumulime të temave buxhetore. Me propozimin për 21 dhjetorin fitojmë të paktën një javë për vazhdimet buxhetore që duhet të ndodhin,” tha ai, duke e cilësuar “përbuzje” propozimin që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Guxo-s, Faton Peci, tha se subjekti i tyre favorizon datën 28 dhjetor, megjithëse mbetet brenda dy opsioneve të propozuara.
Sipas presidentes Osmani, partitë politike kanë paraqitur dy data të mundshme – 21 dhe 28 dhjetor – ndërsa vendimi final për datën e zgjedhjeve pritet pas përfundimit të konsultimeve formale.
Me shpërndarjen e Kuvendit, Kosova ka hyrë zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë të funksionojnë në kapacitet të kufizuar deri në formimin e qeverisë së re./Katror.info











