24 nxënës të klasave të 10-ta nga shkolla “Fehmi Lladrovci” nga Komuna e Drenasit të premten kanë nënshkruar kontratat për fillimin e punës praktikës në kuadër të mësimit dual në kompaninë “Shehu” ndërmarrje kjo që merret me përpunimin e drurit.
Këshilltari i ministres së MASHT-it, Muhedin Nushi, tha se këta nxënës do të kryejnë praktikën në 8 ndërmarrje të përpunimit të drurit me qëllim të zbatimit të mësimit dual.
“Ky proces i mësimit dual është proces në vazhdimësi i cili këtë vit do të aplikohet në 12 profile dhe në 21 komuna të Republikës sonë. Mësimi dual është mundësi e mirë që nxënësit të njihen me atë që mësojnë në teori si dhe do të ketë ndikim në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit tonë”, tha ai.
Ndërsa, Valbona Fetiu Mjeku, nga departamenti i arsimit dhe aftësimit profesional ne kuadër të MASHTI-t, tha se ky institucion është duke e rishikuar ligjin për arsim profesional dhe se për këtë ligj do të punohet me bizneset, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast edhe drejtori i kompanisë, Kreshnik Shehu, u shpreh i lumtur që nxënësit janë duke filluar punën praktike. Ndërsa, Besart Krasniqi i cili do ta fillojë punën praktike në këtë kompani, u ka bërë thirrje moshatarëve të tyre që të ndjekin arsimin profesional./Katror.info