Kina është bërë vendi i parë në botë ku gratë janë blerësit e më shumë se një të katërtës së makinave të shitura Ferrari.
Gratë përbënin mesatarisht 26 për qind të blerësve të automjeteve të kompanisë italiane në Kinë gjatë pesë viteve të fundit, duke përjashtuar Tajvanin dhe Hong Kongun.
Kjo e tejkalon ndjeshëm përqindjen e makinave Ferrari që u shiten grave në çdo vend tjetër, thanë burimet pa dhënë shifra specifike, raporton Financial Times. Ka pasur gjithashtu një rritje të numrit të grave që regjistrohen në ngjarjet e sponsorizuara nga Ferrari, të tilla si trajnimi për të drejtuar makina garash, dhe përgjithësisht duke treguar një entuziazëm në rritje për produktet dhe përvojat e kompanisë italiane.
Gratë kineze që blejnë makinat e përmendura janë më shpesh drejtuese në industrinë e teknologjisë, sipërmarrëse të pasurive të paluajtshme dhe gra super të pasura. Ferrari nuk pranoi të jepte më shumë detaje për klientët e saj femra dhe kompania po përpiqet të mbajë një pjesë të shitjeve globale prej rreth 10 për qind në Kinë, shkruan Katror.info.
Sipas raportit të biznesit të vitit të kaluar, Kina, Hong Kongu dhe Tajvani përbënin 12 për qind të shitjeve totale me rreth 1600 makina. Kina ka numrin e dytë më të madh të miliarderëve në botë dhe gratë kineze dominojnë listat e grave më të pasura në Azi.
Shpenzimet e luksit në Kinë janë rikuperuar që kur ekonomia e dytë më e madhe në botë hoqi kontrollet e rrepta për shkak të pandemisë. Vlerësohet se konsumatorët kinezë do të përbëjnë 20 për qind të tregut të mallrave luksoze këtë vit dhe kjo përqindje do të rritet në 38 për qind deri në vitin 2030. Ferrari raportoi shitje globale prej rreth 5.1 miliardë euro dhe dërgesa totale prej 13,221 makinash./Katror.info