Kanë kaluar tridhjetë vjet që nga krijimi i “The Lion King,” drejtuar nga Rob Minkoff në bashkëpunim me Roger Allers. Ky film i animuar zë një vend të veçantë në kujtesën time, jo vetëm për kënaqësinë që më ofroi, por edhe për nxitjen e pasionit tim të hershëm për vizatim. E kujtoj qartë portretin e luanit, me kokën lart, të cilin e skicova me ngjyra druri mbi një hamer të bardhë. Ky imazh mbetet i ngulitur në mendjen time si pika fillestare e rrugëtimit tim artistik.
Ndërsa admiroja pikturat e printuara të kohës së Renesancës në një libër në shtëpi, e kisha të vështirë të imagjinoja se si mund të riprodhoja ato kryevepra me ngjyra akrile apo vaj. Rruga artistike filloi me teknika tradicionale, por shpejt evoluoi në diçka shumë më tërheqëse: arti digjital.
Fillova të eksploroj vizatimin në softuerin Paint në moshën 13 vjeçare, duke i ruajtur krijimet e mia në një Floppy Disk me vetëm 1.44 MB hapësirë—një sasi që tani duket pothuajse qesharake, duke marrë parasysh që telefonat e sotëm inteligjentë ofrojnë mesatarisht 120 GB hapësirë në xhepat tanë.
Rrugëtimi vazhdon me me softuerët Corel e më pas Adobe Illustrator, i cili kishte fituar rëndësi globale për vektorizim, duke u bërë mjeti më i mirë që kishin parë ndonjëherë dizajnerët profesionistë.
Megjithatë, tani ndodhemi në një epokë ku Inteligjenca Artificiale (AI) ka depërtuar jo vetëm në krijimin e përmbajtjes, por edhe në fotografi, video dhe animacion. Ajo që dikur kërkonte ditë përpjekjesh, imagjinate dhe përkushtimi për t’u ilustruar, tani mund të gjenerohet brenda sekondave thjesht duke shkruar një kërkesë në Firefly, Midjourney, etj. Ky revolucion teknologjik ka shqetësuar shumë nga kolegët e mi dhe komunitetin e dizajnerëve, përfshirë edhe mua. Por, me përfshirjen e mjeteve të AI në punën e përditshme, i shoh ato jo si një kërcënim, por si një mundësi për përparim të vazhdueshëm.
Rrugëtimi nga vizatimi tradicional, tek përqafimi i mjeteve digjitale, e deri tek AI, ka qenë transformues. Ndërsa teknologjia vazhdon të evoluojë, esenca e kreativitetit mbetet e pandryshuar—një kujtesë e vazhdueshme që mjetet që përdorim janë të fuqishme vetëm sa ne e kemi fuqinë e mendjes dhe krijimitarinë t’i përdorim.
Shpat Komoni është profesor në Akademinë Evolucion dhe CEO i SIMS Marketing Agency