Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me krenari pas suksesit të nxënëses Erina Sejdiu, e cila është shpallur kampione në Olimpiadën Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe, shkruan Katror.info
Erina, nxënëse nga Kryeqyteti, ka arritur të renditet e para në të gjitha nivelet e garës – nga ai shkollor, komunal, deri tek ai kombëtar – duke siguruar vendin e parë në këtë garë të rëndësishme arsimore.
Në reagimin e tij, Rama e ka cilësuar këtë arritje si një dëshmi të përkushtimit të nxënësve të Kryeqytetit, por edhe të profesionalizmit të mësimdhënësve që, sipas tij, vazhdojnë të luajnë një rol kyç në formimin arsimor të brezave të rinj.
“Erina ka nderuar shkollën e saj, familjen dhe gjithë Kryeqytetin. Arritje të tilla janë shembull i qartë i vlerave që duam të kultivojmë,” ka shkruar Rama.
Suksesi i Erina Sejdiut po vlerësohet si jo vetëm personal, por edhe një përfaqësim dinjitoz i nivelit të arsimit në Prishtinë dhe një nxitje për mbështetjen e mëtejshme të talenteve të rinj./Katror.info