Organizata Free Libre Open Source Software Kosova e njohur si FLOSSK, në bashkëpunim me Katror Media, do të organizojë një trajnim mbi të drejtën për qasje në dokumente publike, me qëllim që të rritet transparenca institucionale.
Trajnimi do të mbahet më 24 prill, nga ora 10:00 deri në 13:00, në hapësirat e Prishtina Hackerspace, dhe do të udhëhiqet nga Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Në kuadër të trajnimit studentët e gazetarisë, aktivistët e rinj si dhe gazetarët do të kenë mundësi të marrin informatat e rëndësishme në kuadër të së drejtës për qasje në dokumentet zyrtare si dhe do të kenë mundësi të njoftohen më shumë për mënyrën e përdorimit të platformës #dumedite nga trajnerët e FLOSSK. Kjo ngjarje mbulohet nga Katror Media dhe e përmbledhur ppublikohet në www.katror.info dhe rrjetet sociale.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të informohen për kuptimin dhe të drejtën për qasje në dokument publik, mënyrën e zbatimit të këtij ligji në praktikë, si dhe përdorimin e platformës dumedite.org si një mjet efikas për hulumtim dhe kërkesa zyrtare për qasje në informacion.
FLOSSK lansoi në vitin 2023 platformën për shtrimin dhe publikimin e kërkesave për qasje në dokumente publike, dumedite.org, duke ia lehtësuar punën aktivistëve, gazetarëve e dashamirëve të lirisë së informimit.
Vetë Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, thekson se drejta për qasje në dokumente publike si një e drejtë kushtetuese, e mbrojtur me konventa ndërkombëtare dhe e rregulluar me Ligjin për qasje në dokumente publike në Kosovë, është një e drejtë themelore që promovon transparencën dhe llogaridhënien institucionale, si dy komponentë thelbësore për qeverisjen e mirë.
Trajnimi i FLOSSK në bashkëpunim me Katror Media është falas dhe i hapur për studentë, gazetarë, aktivistë dhe të gjithë të interesuarit. Regjistrimi mund të bëhet përmes formularit online në këtë link. /Katror.info
Përgatiti:
