Popullata e troftës në Liqenin Champlain, një nga liqenet më të mëdha në SHBA, është rikthyer në nivele historike për herë të parë pas pesë dekadash përpjekjesh. Falë kombinimit të kontrollit të specieve invazive dhe hedhjes së troftave të rritura në kapacitet, tashmë besohet se ekziston një popullatë e qëndrueshme dhe e vetë-mjaftueshme.
Lajmi u bë i ditur më 10 prill nga bashkëpunimi trepalësh për menaxhimin e peshkut dhe faunës së egër në Liqenin Champlain, një grup që përfshin agjenci shtetërore dhe federale. Vendimi shënon përfundimin e një procesi që nisi në vitin 1972 me hedhjen e peshqve në liqen, shkruan GoodNewsNetwork, përcjell Katror.info.
“Është disi dëshpëruese sa rrallë kemi mundësi të themi ‘puna u krye’, sepse zakonisht ka faktorë që nuk i kapërcejmë dot si dëmtimi i habitatit apo speciet pushtuese,” tha Ellen Marsden, biologe e Universitetit të Vermontit dhe ekspertja kryesore për troftën e liqenit në rajon. “Por kjo është një nga ato raste të rralla – dhe është arritur me sukses të shpejtë dhe të dukshëm.”

Hedhja e fundit e troftave nga programi do të bëhet këtë pranverë. Më pas, do të vlerësohet shëndeti i popullatës dhe do të hartohet një plan me pragje të qarta për rikthimin e hedhjeve nëse numrat e troftave të egra bien ndjeshëm.
“Kjo është një situatë e re dhe emocionuese për ne,” tha Rob Fiorentino, mbikëqyrës i peshkimit në rajonin 5 të Departamentit të Konservimit të Mjedisit në Nju Jork. “Nuk kemi ndonjë përvojë të mëparshme për t’u bazuar.”
Kontrolli i lampretës – një specie parazitare që ngjitet në trupin e peshkut dhe ushqehet me lëngjet e tij – filloi vetëm pas vitit 1990. Edhe pse hedhja e troftave ndihmoi për dekada, rimëkëmbja e troftave të egra nuk do të kishte qenë e mundur pa luftimin e fortë të kësaj specieje pushtuese.

Në vitin 2006, raporti i lëndimeve nga lampretat në trofta ishte 99 në çdo 100 trofta. Në vitin 2022, kjo shifër ra në 23, duke u mbajtur rreth objektivit të vendosur prej 25 për dy vitet e fundit.
Sipas Shërbimit të Peshkut dhe Faunës së Egër në SHBA, për çdo 1 dollar të investuar në këtë program, ekonomisë i kthehen 3.5 dollarë – përfshirë mbi 450 milionë dollarë në vit nga industria e peshkimit në liqen.
“Jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj bashkëpunimi dhe që kemi kontribuar në rikthimin e kësaj specieje vendase në Liqenin Champlain,” tha Wendi Weber, drejtoreshë rajonale për Shërbimin e Peshkut dhe Faunës së Egër në verilindje të SHBA. “Është emocionuese të shohim rezultatet e investimeve tona, si për mjedisin ashtu edhe për ekonominë lokale.”/Katror.info