Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Brunei Darussalam, me ftesë të Madhërisë së Tij Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Sulltan i Bruneit.
Kjo vizitë shënon vizitën e parë zyrtare ndonjëherë të një presidenti të Kosovës në këtë shtet të Azisë Juglindore, njofton Presidenca e Kosovës.
Presidentja Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore në rezidencën zyrtare të Sulltanit, Istana Nurul Iman, ku do të zhvillojë takime dypalëshe me Madhërinë e Tij, Sulltan Bolkiah.
Në kuadër të vizitës, është planifikuar edhe një banket shtetëror i organizuar nga Sulltani dhe bashkëshortja e tij, Madhëria e saj Raja Isteri Pengiran Anak Hajah Saleha, në nder të vizitës së Osmanit dhe Zotërisë së Parë.
Osmani gjithashtu do të mbajë një fjalim në Universitetin e Brunei Darussalam, ku do të flasë para korit diplomatik, studentëve dhe stafit akademik.
Po ashtu, ajo do të zhvillojë takime me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe të familjes mbretërore, si dhe do të vizitojë disa nga monumentet më të njohura kulturore të këtij vendi, thuhet në njoftim./Katror.info