Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka ndarë mbi 82 mijë euro për 46 sportistë të rinj nga 18 federata sportive.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se qëllimi kryesor është që të ketë sa më shumë mbështetje për sportistët, për atletët dhe për shpresat olimpike, raporton Katror.info.
“Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar nga viti në vit ta rrisë mbështetjen e sportistëve, numrin e bursistëve olimpik apo shpresave olimpike në këtë rast. Tashmë në këtë vit Komiteti Olimpik i Kosovës i mbështetë 46 sportistë të rinj të cilat vijnë nga 18 federata sportive olimpike që është një numër mjaftë i madh besoj dhe synimi i Komitetit Olimpik është që sa më shumë të rritet numri që të ketë sa më shumë mbështetje për sportistët tanë, për atletët tanë dhe për shpresat olimpike.”
“Pra, mbështetja e një sportisti për një muaj është 150 euro, që do të thotë për një sportist do të fitojë 1800 euro në vit. Në përgjithësi, për 46 sportistë do të jetë vlera që Komiteti Olimpik i Kosovës do t’i mbështesë sportistët me 82 mijë e 800 euro”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se nga muaji shtator i këtij viti, KOK-u do të fillojë mbështetjen edhe të bursistave olimpik të cilët kanë synimin kryesor për përgatitjet për normal olimpike “Los Angleos 2028”./Katror.info