Komandantja e Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, Major Mimoza Budeci, ka përmbyllur me sukses një vizitë zyrtare në SHBA, ku u prit nga udhëheqës të lartë të Universitetit Norwich në Vermont dhe Institutit të Teknologjisë Rochester në Nju Jork, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimeve u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes shkëmbimeve të kadetëve dhe stafit akademik, si dhe programeve të përbashkëta të trajnimit dhe zhvillimit profesional. Palët theksuan rëndësinë e ndërtimit të urave të reja bashkëpunimi, me qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe profesionalizmit të liderëve të rinj ushtarakë sipas standardeve ndërkombëtare.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve të Akademisë Ushtarake të FSK-së me institucionet prestigjioze amerikane. KOMQSU ishte gjithashtu mysafire nderi në ceremoninë e diplomimit të Universitetit Norwich./Katror.info