Më 4 qershor 2025 do të organizohet edicioni i radhës i Panairit të Punës dhe Karrierës, një ngjarje që pritet të mbledhë në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë kompani udhëheqëse, institucione arsimore, si dhe punëkërkues, studentë dhe të diplomuar të rinj, shkruan Katror.info.
Panairi, i cili do të jetë i hapur për publikun nga ora 10:00 deri në 16:00, synon të ofrojë një platformë për lidhje ndërmjet sektorit privat dhe atij akademik me individë që kërkojnë mundësi të reja punësimi apo zhvillimi profesional. Ngjarja do të jetë pa pagesë për të gjitha palët e interesuara.
Bizneset pjesëmarrëse do të kenë në dispozicion shtande falas për të prezantuar mundësitë e karrierës dhe për të bashkëbiseduar me punëkërkuesit. Panairi gjithashtu do të përfshijë prezantime nga kompani të ndryshme, seanca rrjetëzimi dhe punëtori praktike.
Ndër qëllimet kryesore të panairit janë ofrimi i qasjes në një gamë të gjerë kandidatësh të kualifikuar, forcimi i njohjes së brendeve të punëdhënësve, si dhe mbështetja e punësimit të të rinjve përmes orientimit profesional dhe mundësive konkrete të punësimit.
Panairi organizohet nga Agjencia e Punës e Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe me mbështetje nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH./Katror.info