Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim të rregullt të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, shkruan Katror.info.
Në takim u diskutua për rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat që vijnë nga zvarritja e këtij procesi, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe funksionimin demokratik të vendit.
Gjithashtu, u trajtuan edhe tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, duke përfshirë fusha të rëndësishme si diplomacia dhe mbrojtja.
Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati riafirmuan përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Katror.info