Rreth 1200 qytetarë kanë nënshkruar tashmë marrëveshjet për disbursimin e subvencioneve në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë, ka njoftuar Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), shkruan Katror.info.
Procesi i disbursimit të mjeteve financiare po vazhdon, ndërsa përfituesit që kanë marrë para-aprovimin mund të aplikojnë për disbursim deri më 31 maj 2025.
Dokumentet e nevojshme duhet të dorëzohen online në platformën zyrtare të FKEE-së në adresën https://disbursimi.fkee-rks.net ose përmes emailit [email protected]. Aplikimi kërkon dorëzimin e formularit për disbursim, faturave dhe dëshmive të pagesës për materialet dhe punimet, dëshmisë së pagesës së auditorit të energjisë, kopjes së para-aprovimit me shtojcat përkatëse, raportit të auditimit të energjisë, si dhe dokumenteve identifikuese dhe të bankës për përfituesin.
Në rast të paqartësive, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin falas 0800 222 70 për më shumë informacione.
Programi i subvencioneve synon të mbështesë qytetarët në përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e konsumit të energjisë përmes investimeve në masa të efiçiencës energjetike./Katror.info