Mbrëmjen e sotme ka nisur nata më e rëndësishme e spektaklit muzikor më të ndjekur në Europë – finalja e Eurovision Song Contest 2025, që këtë vit po mbahet në qytetin e Bazelit në Zvicër.
Spektakli u hap nga fituesi i vitit të kaluar, artisti zviceran Nemo, i cili mahniti publikun me një performancë artistike dhe vizualisht mbresëlënëse, duke rikthyer në skenën e Eurovision-it energjinë që e bëri fitues në vitin 2024.
Nemo, i njohur për stilin e tij unik dhe shpesh eksperimental, u shfaq me një paruke të madhe të bardhë dhe një fustan të gjatë në të bardhë, duke krijuar një atmosferë enigmatike dhe teatrale që menjëherë tërhoqi vëmendjen e publikut në arenën e mbushur plot.
Performanca e tij u shoqërua me efekte vizuale moderne dhe një koreografi të menduar në detaje, duke dëshmuar edhe një herë se përse ai konsiderohet si një nga zërat dhe figurat më interesante në skenën muzikore evropiane të momentit.
Pas hapjes madhështore nga Nemo, në skenë do të ngjiten artistë nga 26 vende finaliste, të cilët do të garojnë për të fituar zemrat e publikut dhe votat e jurive profesionale nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.
Ndërkohë, Shqipëria është një nga vendet që pritet me shumë interes, pasi këtë vit përfaqësohet nga dyshja shqiptare “Shkodra Elektronike”, të cilët do të interpretojnë këngën “Zjerm” – një krijim që është vlerësuar si një prej më artistikeve dhe emocionalisht të fuqishme të këtij edicioni.
Me një mesazh të thellë shpirtëror dhe një përzierje unike të muzikës elektronike me elementë tradicionalë shqiptarë, “Zjerm” ka marrë vlerësime të shumta pozitive nga kritika dhe publiku.
Performanca e Shqipërisë pritet më vonë gjatë mbrëmjes, dhe shumë fansa janë të emocionuar për të parë se si do të paraqitet një nga këngët më të veçanta të kësaj gare.
Eurovision 2025 ka nisur në mënyrën më të fuqishme të mundshme – dhe nata premton emocione të forta, art të vërtetë dhe një garë të zjarrtë për trofeun. /Katror.info
Përgatiti:
