Poliklinika stomatologjike në Prishtinë ka përfunduar me sukses renovimin e plotë dhe pritet të nisë zyrtarisht ofrimin e shërbimeve nga e hëna e ardhshme. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, tashmë janë krijuar kushte të përmirësuara për pacientët dhe stafin mjekësor, duke përfshirë inventar të ri dhe infrastrukturë moderne. “Ne kemi përfunduar renovimin e gjithë Poliklinikës stomatologjike. Ajo është e vetmja e nivelit sekondar në nivel të Kosovës. Kemi të drejtë për themelimin e institucionit sekondar dhe këtë e kemi realizuar gjatë këtij mandati, duke u bazuar në Ligjin për kryeqytetin”, tha Sadiku.
Ai bëri të ditur se Poliklinika, e vendosur afër Pallatit të Rinisë, do të ofrojë të gjitha shërbimet stomatologjike të nivelit sekondar, përfshirë ndërhyrje kirurgjikale që nuk kërkojnë hospitalizim.
“Ka kushte më të mira edhe për qytetarët, inventar të ri dhe do të jetë nga shërbimet më cilësore”, theksoi ai, duke shtuar se shërbimet do të fillojnë nga dita e hënë.
Sadiku gjithashtu nënvizoi se sistemi stomatologjik në Prishtinë mbetet unik në Kosovë për ofrimin e shërbimeve 24 orëshe në sektorin publik. “Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardani e kemi shërbimin 24 orë. Me sa kam informata, në nivel të Kosovës nuk ka stomatologji tjetër që kujdestaron”, deklaroi ai./Katror.info