Pas një ndërprerjeje të përkohshme, Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se ka rifilluar aktivitetet në terren, duke ofruar sërish shërbimet e saj të grumbullimit dhe largimit të mbeturinave në të gjitha zonat që mbulon, shkruan Katror.info.
Në një komunikatë për media, kompania thekson se: “Pas një ndërprerjeje të përkohshme, për shkak të vështirësive objektive, puna ka rinisur të martën në mbrëmje me ndërrimin e tretë, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të ndjeshme dhe më të ngarkuara me mbeturina. Ekipet tona janë të angazhuara me kapacitete të plota për të rikthyer pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kompania gjithashtu rithekson angazhimin e saj për të ofruar shërbime të rregullta e me cilësi, duke u udhëhequr nga parimet e përgjegjësisë ndaj publikut dhe respektit ndaj qytetarëve.
“Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë, si dhe kërkojmë bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e pastërtisë së përbashkët”, përfundon komunikata e Pastrimit, duke shtuar se kompania mbetet e përkushtuar që t’i rikthehet sa më shpejt normalitetit në shërbimet e saj publike në të gjitha lagjet dhe zonat që ka në përgjegjësi./Katror.info.