Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, mirëpriti një delegacion zviceran të kryesuar nga Vincent Subilia, Drejtor i Përgjithshëm i Odës Ekonomike, Industrisë dhe Shërbimeve të Gjenevës.
Sipas njoftimit të Odës Ekonomike, gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, me theks të veçantë në marrëdhëniet politike, kulturore dhe lidhjen e fortë që krijohet përmes komunitetit të madh shqiptar që jeton dhe punon në Zvicër, raporton Katror.info.
“Edhe pse Zvicra renditet e treta në listën e vendeve ku Kosova eksporton më së shumti, ekziston ende një potencial i madh për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve,” tha Lulzim Rafuna, Kryetar i OEK.
Nga ana tjetër, Vincent Subilia ndau përshtypjet e tij pozitive nga vizita në Kosovë. Ai theksoi se delegacioni zviceran pati mundësinë të njihej nga afër me bizneset kosovare dhe të shihte mundësitë që vendi ofron.
Ai gjithashtu u impresionua veçanërisht nga shpirti ndërmarrës i rinisë kosovare, duke e konsideruar atë si dëshmi të qartë të potencialit për bashkëpunim të mëtejmë.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e arbitrazhit ekonomik dhe tregtisë ndërkombëtare, duke marrë parasysh ekspertizën dhe kapacitetet e Odës së Gjenevës në këto fusha./Katror.info