Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Vesa Ibrahimi, ka shënuar një arritje historike duke u bërë femra e parë ndërkombëtare që përfundon me sukses trajnimin elitar “Ranger School” të ushtrisë amerikane, shkruan Katror.info.
Ky trajnim, një nga më të vështirët dhe prestigjiozët në botë, ka për qëllim zhvillimin e lidershipit dhe aftësive taktike të oficerëve në nivelin e njësive të vogla. Ranger School sfidon pjesëmarrësit në tri faza intensive – Darby, Mountain dhe Swamp – duke testuar kapacitetet e tyre fizike, mendore dhe emocionale në kushte ekstreme.
Përmes mungesës së gjumit, ngarkesës së lartë fizike dhe presionit psikologjik, pjesëmarrësit mësojnë të udhëheqin operacione të ndërlikuara në terrene të vështira dhe nën kushte minimale logjistike. Stërvitja zhvillohet në standarde të barabarta për të gjitha gjinitë, pa asnjë lëshim në kriteret e forta që kërkohen për diplomim.
Në ciklin e fundit të diplomimit, nga 148 pjesëmarrës që përfunduan kursin me sukses, vetëm tre ishin femra — njëra prej tyre Nëntoger Vesa Ibrahimi nga Kosova.
Përfundimi me sukses i këtij kursi e vendos Ibrahimin në një kategori të rrallë të liderëve ushtarakë ndërkombëtarë dhe përbën një moment krenarie për FSK-në dhe Kosovën./Katror.info