Pas muajsh të tërë spekulimesh, gara për të zgjedhur aktorin e ri që do të luajë James Bond është ngushtuar në vetëm tre kandidatë: Jacob Elordi, Tom Holland dhe Harris Dickinson.
Sipas burimeve të Variety, përzgjedhja është përqendruar tek aktorët britanikë nën moshën 30 vjeç, ndonëse Elordi, edhe pse australian, mbetet një pretendent serioz.
Filmi i ri pritet të drejtohet nga regjisori i mirënjohur Denis Villeneuve, i cili e ka quajtur këtë projekt një “nder të madh” dhe një “përgjegjësi të shenjtë”, duke theksuar lidhjen e tij të hershme me këtë ekskluzivitet që nga fëmijëria, raporton DailyMail.
Pas marrëveshjes së re me producentët legjendarë Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson, kompania Amazon ka marrë kontrollin krijues të ekskluzivitetit Bond.
Producentët e rinj, Amy Pascal dhe David Heyman, pritet të përcaktojnë drejtimin e ri që do të marrë agjenti 007. Ndërkohë, xhirimet mund të zhvendosen nga Londra në Liverpool, për shkak të kufizimeve të ardhshme filmike në kryeqytet. Filmi mund të publikohet në fund të vitit 2026 ose gjatë vitit 2027.
Nga ana tjetër, një valë e re spekulimesh është ndezur në rrjetet sociale pasi Patrick Gibson u prezantua si zëri i James Bond në lojën e re zyrtare “007: First Light”, të miratuar nga Amazon MGM Studios.
Në këtë version, Bond paraqitet si një 26-vjeçar që sapo ka përfunduar stërvitjen në Marina Mbretërore. Pamjet e para nga loja kanë shtuar entuziazmin tek fansat, ku Bond shfaqet në skena të mbushura me aksion, makina Aston Martin dhe humor karakteristik elementë klasikë të serisë Bond.
Fansat presin me padurim shpalljen zyrtare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kapitulli i ri i agjentit të famshëm do të ruajë stilin tradicional apo do të sjellë një qasje më moderne. /Katror.info
Përgatiti:
