Më 3 korrik, në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, do të mbahet konferenca “Media Talk Day”, një ngjarje me rëndësi për zhvillimin e gazetarisë dhe fuqizimin e edukimit medial në Kosovë, shkruan Katror.info.
E organizuar nga Instituti D4D dhe e mbështetur nga Dukati i Madh i Luksemburgut në kuadër të projektit “Mbështetje për Shoqërinë Civile në Kosovë”, kjo konferencë synon të rrisë standardet profesionale në media dhe të adresojë çështjen e dezinformimit gjinor.
Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të mediave, institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët do të diskutojnë për sfidat dhe përgjegjësitë që lidhen me raportimin e drejtë, të balancuar dhe gjithëpërfshirës. Gjatë ngjarjes do të prezantohet platforma Verifiko.info, e cila ka për qëllim luftimin e dezinformimit përmes verifikimit të fakteve. Po ashtu, do të bëhet prezantimi i një analize mbi boshllëqet në përmbajtjen mediatike dhe do të publikohet raporti mbi dezinformimin gjinor, me fokus në mënyrën se si mediat online i trajtojnë gratë në politikë. Raporti trajton përdorimin e gjuhës mizogjine dhe ndikimin që kjo ka në barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen demokratike.
Konferenca nis në orën 10:00 dhe pritet të shërbejë si një hapësirë për diskutim, reflektim dhe bashkëpunim në drejtim të ndërtimit të një ambienti mediatik më të informuar, të drejtë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë./Katror.info