Banka e Shqipërisë (BSh) ka vendosur të ulë normën bazë të interesit, duke e çuar atë nga 2.75 për qind në 2.50 për qind. Ky vendim, i shpallur sot nga Guvernatori Gent Sejko në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, shoqërohet edhe me uljen përkatëse të normave të kredisë njëditore në 3.50 për qind (nga 3.75 për qind) dhe të depozitës njëditore në 1.50 për qind (nga 1.75 për qind).
Guvernatori Sejko theksoi se kjo lëvizje synon të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit drejt objektivit të Bankës.
“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë vijuar të jenë pozitive gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta dhe kushtet e financimit mbeten akomoduese”, tha ai.
Sipas tij , këto zhvillime kanë qenë në linjë me pritjet tona, ndonëse si ritmi i rritjes ekonomike dhe niveli i inflacionit ishin në kahun e poshtëm të tyre.
“Parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme të afërta me potencialin, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv në fillim të vitit 2026. Megjithatë, sfidat nga mjedisi i jashtëm mbeten një faktor i rëndësishëm rreziku. Rritja e barrierave tregtare, pasiguritë mbi drejtimin e politikave ekonomike e tregtare, si dhe intensifikimi i konflikteve gjeopolitike po dobësojnë perspektivën e ekonomisë globale, duke krijuar rreziqe potenciale për zhvillimet në vend”, tha ai.
Duke shtuar se në këtë kontekst, duke synuar të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare në mbledhjen e sotme.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi në një nivel mesatar prej 2.3% gjatë muajve prill – maj. Kjo ecuri u ndikua nga një inflacion më i lartë i çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, si dhe nga një inflacion më pak negativ i çmimit të naftës. Ndërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera kanë mbetur relativisht të qëndrueshme”, tha ai.
Vendimet e politikës monetare
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë sotmori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të ulë normën bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 2.50%;
të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 3.50%.
të ulë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 1.50%.
/RTSH/Katror.info