Një studim i ri nga Kolegji i Mjekësisë Baylor ka zbuluar se psilocibina – substanca psikoaktive që gjendet në kërpudhat e ashtuquajtura “magjike” – mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngadalësimin e plakjes qelizore dhe përmirësimin e jetëgjatësisë.
Studimi, i publikuar në revistën “npj Aging”, ka treguar se psilocibina jo vetëm ndikon pozitivisht në funksionet e trurit, siç është dokumentuar më herët në trajtimin e depresionit dhe ankthit, por gjithashtu ka efekte mbresëlënëse në trupin e njeriut, duke përfshirë qelizat dhe sistemin biologjik në tërësi.
Deri tani kemi ditur si ndikon psilocibina në tru. Por gjetjet tona sugjerojnë se ajo ka një ndikim shumë më të gjerë, përfshirë edhe efektet kundër plakjes në organizëm
-tha Dr. Louise Hecker, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë e asociuar në fushën e mjekësisë dhe kërkimeve kardiovaskulare në Baylor.
Një nga zbulimet më të rëndësishme ishte ndikimi i psilocibinës në telomere – struktura që ndodhen në fund të kromozomeve dhe që shkurtohen me kalimin e moshës, duke u konsideruar një tregues kryesor i plakjes qelizore.
Sipas eksperimentit, psilocibina duket se mbron gjatësinë e telomereve, duke vonuar kështu procesin e plakjes. Në disa raste, jetëgjatësia e qelizave u rrit deri në 57%, në varësi të dozës së administruar.
Gjithashtu, eksperimentet me brejtës të moshuar treguan një përmirësim të ndjeshëm në mbijetesën dhe gjendjen e tyre të përgjithshme fizike, duke rritur shpresat për zhvillimin e trajtimeve të reja për plakjen e shëndetshme te njerëzit.
Këto gjetje hapin rrugën për kërkime të mëtejshme dhe mund të ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë plakjen dhe trajtimin e saj në të ardhmen./Katror.info
Përgatiti:
