Sapo kthehemi nga marketi, shumë prej nesh kanë zakonin t’i fusin pothuajse të gjitha ushqimet në frigorifer – nga frika se mos prishen më shpejt. Por e vërteta është se disa produkte nuk duhet të ruhen kurrë aty. Jo vetëm që humbasin cilësinë dhe shijen, por në disa raste prishen më shpejt se sa në temperaturë ambienti.
Mjalti që kristalizohet, patatet që ëmbëlsohen dhe domatet që humbasin shijen janë vetëm disa shembuj të zakonshëm. Në fakt, këto ushqime ruhen më mirë jashtë frigoriferit – duke ruajtur strukturën dhe aromën e tyre natyrale.
Sipas “Stars Insider”, të cituar nga Telegrafi, mbajtja e disa ushqimeve jashtë frigoriferit nuk është thjesht çështje preferencash – por një mënyrë për të kursyer hapësirë dhe për të ruajtur shijen.
Ja disa prej tyre:
Patatet
Nuk e përballojnë mirë të ftohtin – niseshtja shndërrohet në sheqer dhe ato marrin një shije të ëmbël dhe teksturë të çuditshme. Mbajini në një qese letre, në një vend të freskët dhe të errët.
Domatet
Ajri i ftohtë i bën të buta dhe u shuan aromën. Më mirë t’i lini në temperaturë dhome – kështu ruajnë shijen dhe freskinë.
Mollët
Edhe pse të ftohta duken më freskuese, qëndrimi në frigorifer ua zbeh freskinë dhe shijen karakteristike.
Trangujt (turshi)
Nëse janë turshi, nuk kanë nevojë për frigorifer. Mbajini në një vend të thatë dhe të freskët.
Çokollata
Në frigorifer, mund të krijojë shtresa të bardha dhe të humbasë shijen. Ruajeni në një vend të errët dhe të thatë.
Patëllxhani
Nëse nuk e konsumoni menjëherë, lëreni jashtë frigoriferit. Ajri i ftohtë e dëmton shijen dhe strukturën.
Këshillë e thjeshtë, por efektive: jo çdo gjë e blerë ka vend në frigorifer. Disa produkte ruajnë më mirë shijen dhe cilësinë pikërisht duke qëndruar jashtë tij. /Katror.info
Përgatiti:
