Ka qenë fundi i vitit 2019 kur e nisi rrugëtimin, por për “Unë jam vetë grua” ai ende nuk ka përfunduar. Shfaqja me tekst të Doug Wright, nën regji të Kushtrim Koliqit dhe me aktorin Adrian Morina, rikthehet me turne. Ferizaj, Gjakova Gjilani, Mitrovica e Prizreni janë “gjeografia” e turneut “Zgjerimi i skenës për barazi – Unë jam vetë grua”.
Lajmin për turneun në pesë qytete e ka bërë të ditur organizata joqeveritare “Integra” nëpërmjet një komunikate për media të hënën. Aty jepen edhe detajet për shfaqjen. Shkruhet se “Unë jam vetë grua” përqendrohet “në jetën e jashtëzakonshme dhe me shumë dritëhije të Charlotte von Mahlsdorf, transgjinores nga Gjermania që i ka mbijetuar sistemit nazist dhe Stasit”.
Rrugëtimin me “Zgjerimin e skenës për barazi” do ta nisë këtë të premte në kuadër të edicionit të katërt të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest” që është hapur të hënën mbrëma.
Siç shkruhet në komunikatë, drama fituese e çmimit “Pulitzer” dhe e çmimit “Toni” është shfaqje që bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Wright me transgjinoren gjermane, njëherësh tregtaren e antikuareve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar “I am my own wife”.
“Për portretizimin e plotë të Charlotte, gjatë periudhës naziste dhe regjimit komunist pasues, ndërsa jetonte haptazi si transgjinore, shfaqja kërkon që aktori i saj i vetëm të luajë rreth tridhjetë role të ndryshme. Titulli i shfaqjes ka dalë nga një anekdotë që Charlotte e tregon: kur ajo ishte dyzet vjeç, nëna e saj duke mos pasur asnjë ide, i tha: ‘Boll luajte dhe u pispillose. Je bërë burrë tani. Kur ke ndër mend të martohesh?’ së cilës pyetje Charlotte iu përgjigj ‘Kurrë, mama. Unë jam martuar me veten’”, shkruhet në komunikatë.
Aty shkruhet se shfaqja “Unë jam vetë grua” jo vetëm që kronikon jetën e Charlottes, por sipas Hedy Weiss të “Chicago Sun-Times”, ajo gjithashtu krijon “një portret të qartë të Gjermanisë në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, një përrallë morale komplekse për atë që i duhet bërë një njeriu për të mbijetuar dhe një meditim intrigues për gjithçka”.
Tekst është shqipëruar nga Artur Lena, skenografe dhe kostumografe e këtij prodhimi është Njomëza Luci, kompozitor Trimor Dhomi, asistent regjisor Bashkim Ramadani, video-realizator Lum Çitaku dhe dizajner i dritave Skender Latifi.
Prej premierës në dhjetorin e vitit 2019 “Unë jam vetë grua” e ka pasur premierën në vitin 2019 në Prishtinë dhe që nga atëherë ka marrë pjesë në shumë festivale teatrore.
“Se Adrian Morina është në gjendje të luajë disa role brenda një shfaqjeje, nuk është kurrfarë risie. Por që ai mund t’i portretizojë dhjetëra role brenda një monodrame me një nivel të mahnitshëm, tregon fuqinë e tij prej aktori. Janë rreth 30 personazhe në të cilat është futur brenda një ore gjatë monodramës ‘Unë jam vetë grua’, premiera e së cilës është dhënë të mërkurën mbrëma në teatrin ‘Dodona’ në Prishtinë. Bëhet fjalë për jetën e një prej transgjinoreve më të njohura jo vetëm në Evropë”, shkruante “Koha Ditore” pas premierës së 4 dhjetorit të vitit 2019.
Sipas atij teksti, qysh në fillim të shfaqjes bëhet me dije se shpaloset një kronikë bardhezi. “Prezantimi që ia bën vetes Von Mahlsdorf shoqërohet me ndezje e ndalje të reflektorëve në skenë. E errësira e ndal edhe fjalën e saj. Më vonë merret vesh se gjatë gjithë jetës, ajo ishte ndaluar jo vetëm të shprehet, por edhe ishte keqtrajtuar. Von Mahlsdorf ishte themeluese e muzeut ‘Gründerzeit’.
Rrëfimi i saj në skenë vjen pikërisht duke qëndruar aty”, shkruhej në artikullin me titull “’Unë jam vetë grua’ si kronikë e mbijetesës në dy sisteme”. Historia e Von Mahlsdorf, e cila ka vdekur në Berlin më 2002, është një trashëgimi që është shpalosur në shumë dimensione në Gjermani e jashtë saj. “E në Kosovë ajo ka ardhur shumë e fuqishme. Deri në atë masë sa pas një ore loje, krejt të pranishmit në shfaqje ta përgëzojnë ekipin. Jo veç për lojën, por edhe për ndjesinë e krijuar”, shkruante “Koha Ditore”./Katror.info