Trafiku Urban Prishtinë, në bashkëpunim me Festivalin “Sunny Hill” dhe Komunën e Prishtinës, ka organizuar ofrimin falas të transportit publik për të gjithë qytetarët pjesëmarrës në festivalin që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht 2025 në Bërnicë.
Ky shërbim do të jetë në funksion gjatë të gjitha netëve të festivalit, me qëllim të lehtësimit të qasjes dhe lëvizjes së qytetarëve drejt dhe nga lokacioni i festivalit.
Autobusët do të nisen nga Stacioni i Trenit në Prishtinë dhe do të qarkullojnë në intervale të rregullta çdo 20 minuta, duke filluar nga ora 14:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Kjo nismë synon të përmirësojë përvojën e pjesëmarrësve, të shmangë ngarkesat në komunikacion dhe të promovojë përdorimin e transportit publik gjatë ngjarjes.
Trafiku Urban ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të tregojnë mirëkuptim, sidomos gjatë orareve të ngarkuara, ndërsa ka shprehur mirënjohje për stafin që do të angazhohet për ofrimin e një shërbimi të sigurt dhe efikas./Katror.info