Të gjitha klubet e Superligës së meshkujve do të detyrohen të ndajnë minimum 10% të buxhetit vjetor për zhvillimin e gjeneratave të reja duke nisur nga sezoni 2025/26, një vendim ky i rëndësishëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës në kuadër të procesit të licencimit të klubeve.
Sipas këtij udhëzimi të ri, klubet duhet gjithashtu të dorëzojnë një program trajnimi vjetor për grupmoshat U10 deri në U18, në përputhje me kriteret dhe standardet e përcaktuara nga FBK.
Krahas kësaj, klubet janë të obliguara të emërojnë një person përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve dhe të marrin pjesë në trajnimet përkatëse që lidhen me politikat e mbrojtjes së fëmijëve të miratuara nga federata.
Procesi i licencimit për edicionin garues 2025/26 është zyrtarisht i hapur dhe do të zhvillohet në bazë të kritereve kryesore: sportiv, financiar, ligjor, etik dhe disiplinor, administrativ dhe i personelit, si dhe infrastrukturor.
Klubet dhe shkollat e basketbollit që aplikojnë për licencë A, B, C apo D duhet të dokumentojnë përmbushjen e kushteve përkatëse.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është data 4 shtator 2025 dhe aplikimet pranohen vetëm në format fizik në zyrat e FBK-së./AP/Katror.info