Princesha Kate, ka publikuar një seri filmash të animuar që synojnë të ndihmojnë zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve në vitet e tyre të para të jetës.
Këta filma janë krijuar për t’u përdorur nga organizatat bamirëse, profesionistët e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe familjet, dhe tashmë janë të publikuar në YouTube.
Projekti është zhvilluar nga Royal Foundation Centre for Early Childhood, një qendër e krijuar nga vetë Princesha në vitin 2021.
Në qershor, Princesha mori pjesë në një punëtori krijuese me ilustratorët dhe profesionistët e fushës që punuan në krijimin e filmave. Në këtë rast, ajo theksoi se zhvillimi i hershëm është “një mundësi e artë për të ndërtuar themele të forta për shëndet dhe lumturi në jetën e ardhshme”.
“Filmat tregojnë se si të rriturit mund të krijojnë marrëdhënie të dashura dhe mbështetëse me fëmijët, duke ndihmuar zhvillimin e tyre emocional dhe social,” tha Princesha.
Ajo shtoi se këto aftësi janë kyçe për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe për përballjen me sfidat e një bote dinamike.
Kate është aktualisht në pushim nga detyrat mbretërore, pasi po rikuperohet nga trajtimi me kimioterapi që e përfundoi më herët këtë vit./AP/