Dhjetë subjekte politike, përfshirë dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur, kanë dorëzuar deri më tani aplikimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i kandidatëve nga këto subjekte është 64 – prej tyre pesë garojnë për kryetarë komunash, ndërsa 59 të tjerë për anëtarë të kuvendeve komunale.
“Deri më tani, 10 subjekte politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Numri i përgjithshëm i kandidatëve është 64 – 5 për kryetarë komunash dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale”, tha Elezi.
Ai theksoi se kanë mbetur vetëm tri ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve dhe se pas këtij hapi nis procesi i verifikimit ligjor.
“Pasi ka pranuar këto aplikime, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka ndërmarrë hapat ligjorë për verifikimin e kandidatëve në bashkëpunim me institucionet e ndryshme shtetërore sipas përgjegjësive të tyre ligjore dhe ka përgatitur rekomandimet për certifikim”, u shpreh zëdhënësi.
Sipas tij, këto rekomandime do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës të KQZ-së.
“Në mbledhjen e ardhshme, KQZ do të shqyrtojë dhe do të marrë vendime të veçanta për secilin aplikim,” shtoi Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së rikujtoi gjithashtu se subjektet politike kanë të drejtë të përcaktojnë vetë në cilat komuna do të garojnë dhe nëse do të marrin pjesë vetëm për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, vetëm për kuvendet komunale apo për të dyja njëkohësisht./AP/Katror.info