Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë te procesi i konstitutimit të parlamentit të vendit, shkruan Katror.info.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Gjermanisë, bashkëpunimit ekonomik dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit gjerman, Olaf Merz.
Ajo vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane, duke nënvizuar se Gjermania është një shtyllë strategjike për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.
Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, u diskutua edhe për domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, si një element kyç për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe Evropë.
Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Presidentja Osmani theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke insistuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës.
Në takim u trajtua edhe rëndësia e largimit të masave të padrejta, ku u theksua se Gjermania mund të ketë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Presidentja Osmani dhe z. Reiffenstuel konfirmuan se takime të këtilla dhe vizita të nivelit të lartë janë thelbësore për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe realizimin e objektivave të përbashkëta./Katror.info