Një dokumentar që sjell në dritë të vërtetën dhe dhimbjen e Kosovës gjatë luftës, përmes rrëfimit të mbijetuares së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Motivues” nga një juri e njohur në Japoni, shkruan Katror.info.
Projekti, i realizuar këtë vit nga transmetuesi publik japonez NHK, në bashkëpunim me RTK-në, u përzgjodh fitues mes mbi 200 aplikimeve konkurruese nga mbarë bota.
Vasfije Krasniqi Goodman, e cila rrëfen historinë e saj në dokumentar, e përshkroi çmimin si një dëshmi se e vërteta e Kosovës, dhimbja dhe qëndresa mund të prekin ndërgjegjen ndërkombëtare kur tregohen me sinqeritet e guxim.
“Është ndjenjë e veçantë kur e vërteta e dhimbjes sonë arrin të prekë zemrën e një vendi aq larg si Japonia. Për mua është nder që përvoja dhe fjala ime u bënë pjesë e këtij rrëfimi që sot inkurajon edhe të tjerët të flasin. Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende s’është shëruar”, ka shkruar ajo në Facebook, duke falënderuar përkrahësit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme./Katror.info