Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe PriFest – Prishtina International Film Festival kanë nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit, duke shënuar vitin e tretë të partneritetit dhe mbështetjes së këtij festivali ndërkombëtar të filmit, shkruan Katror.info.
Sipas QKK-së, ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përkrahur industrinë filmike vendore dhe për ta promovuar atë në arenën ndërkombëtare. “Ky partneritet forcon misionin tonë të përbashkët për të mbështetur dhe promovuar kinematografinë vendore, si dhe për ta vendosur Kosovën edhe më fuqishëm në hartën ndërkombëtare të filmit”, thuhet në njoftim.
Edicioni i 17-të i PriFest-it do të mbahet nga 9 deri më 14 shtator në Prishtinë, duke sjellë një program të pasur me filma vendorë dhe ndërkombëtarë, aktivitete profesionale dhe ngjarje kulturore./Katror.info.