Pjesëmarrja e radhës e korit “Siparantum” është në Bangkok të Tajlandës, ku kori do të marrë pjesë në “Thailand International Choral Festival”. Krahas saj, më 1 shtator edhe drejtuesi dhe dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, do të drejtojë një punëtori atje. Ky festival që njihet si një prej më prestigjiozëve, organizohet nga “Thailand Choral Association” në bashkëpunim me “Bandung Choral Society”. Kësaj radhe me edicionin e dytë, do të bëjë bashkë dirigjentë, vokalistë e profesionistë muzikorë nga e mbarë bota
Edhe një herë korit “Siparantum” do t’i duhet ta dëshmojë veten para audiencës botërore, por këtë nuk e ka të vështirë, duke pasur parasysh sukseset e deritashme. Pjesëmarrja e radhës është në Bangkok të Tajlandës, ku kori do të marrë pjesë në “Thailand International Choral Festival”. Krahas saj, më 1 shtator edhe drejtuesi dhe dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, do të drejtojë një punëtori atje. Ky festival që njihet si një prej më prestigjiozëve, organizohet nga “Thailand Choral Association” në bashkëpunim me “Bandung Choral Society”. Kësaj radhe me edicionin e dytë do të bëjë bashkë dirigjentë, vokalistë e profesionistë muzikorë nga e mbarë bota.
Është një festival relativisht i ri në atë vend, por me prestigj të lartë. Do të mbahet në Qendrën Kulturore të Tajlandës, e cila ka shërbyer si hapësirë për ngjarje kulturore e artistike në Bangkok prej vitit 1987. Punëtori e masterklasa, koncerte garuese dhe jogaruese janë ngjarjet që janë të radhitura në programin e festivalit. Të gjitha kategoritë garuese të koreve janë të ndara në dy grupe dhe secili kor duhet të këndojë nga dy këngë, në maksimum dhjetë minuta. Fituesit do t’i jepet një trofe që quhet “Grand Prize”, si dhe një certifikatë arritjeje.
Dirigjenti e drejtuesi artistik i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka thënë se ligjërata e tij do të jetë në formë të një prezantimi interaktiv, duke u fokusuar te mësimi i një vepre korale shqiptare.

“Ligjërata ime në Bangkok do të zhvillohet në formën e një prezantimi interaktiv, që pasqyrojnë zhvillimin e muzikës korale në Kosovë nga tradita deri te krijimtaria bashkëkohore. Një segment i veçantë i punëtorisë do t’i dedikohet mësimit të një vepre korale shqiptare, e cila lidhet drejtpërdrejt me elementet dalluese të muzikës sonë. Duke marrë parasysh që në këtë festival marrin pjesë kore nga mbarë bota, prezantimi i literaturës sonë korale dhe njohja me kulturën tonë muzikore merr një rëndësi të veçantë”, ka thënë ai.
Për pjesëmarrjen e korit në Bangkok, Kelmendi ka thënë se nuk do të jetë thjesht një interpretim, por edhe rrëfim i një historie që ka kaluar ndër shekuj.
“Pjesëmarrja e Korit ‘Siparantum’ në ‘Thailand International Choral Festival’ është një ngjarje ku historia, tradita dhe arti ynë i përbashkët marrin frymë në një skenë botërore. Në Bangkok, mes koreve të ardhura nga çdo cep i globit, ne nuk shkojmë vetëm për të interpretuar; ne shkojmë për të rrëfyer një histori që është endur ndër shekuj. Është një nder i madh që jemi ftuar të marrim pjesë edhe në ceremoninë e hapjes, një hapësirë e rezervuar vetëm për kore që kanë dëshmuar sukses dhe ndikim në skenat botërore, ka treguar ai. Ceremonia e hapjes do të mbahet më 31 gusht, teksa Qendra Kulturore e Bangkokut do të jetë nikoqire e koreve që vijnë nga e mbarë bota.
“Mundësi të çmuar për korin” e ka quajtur Kelmendi pjesëmarrjen e cila u ofron mundësinë ta prezantojnë punën dhe standardin artistik që kori ka ndërtuar me kalimin e viteve.
“Për ne, kjo është një mundësi e çmuar për të prezantuar punën dhe standardin artistik që kemi kultivuar ndër vite, përballë një audience dhe jurie të përbërë nga profesionistë të shquar të muzikës korale. Repertori ynë është përzgjedhur me kujdes, duke balancuar vlerat artistike, sfidat teknike dhe elementet që reflektojnë identitetin tonë kulturor. E shohim këtë jo thjesht si një garë për çmime, por si një proces të vlefshëm matjeje profesionale, ku kemi mundësinë të vendosim punën tonë në dialog me ansamble nga e gjithë bota”, ka thënë Kelmendi.
Ky është shteti i 19-të ku do të performojë ansambli i korit “Siparantum”. Aq është edhe numri i çmimeve ndërkombëtare që numëron ky kor, i cili bën pjesë në top 20 ansamblet vokale më të mira në botë, sipas rankimit të “Interkultur” që është organizatë liderë në organizimin e garave korale, shkruan Koha.net.
“Së pari, synojmë që çdo interpretim të jetë një pasqyrë e nivelit artistik që kemi ndërtuar me përkushtim ndër vite, duke e përfaqësuar Kosovën jo vetëm si vend, por si një zë i denjë në korin e kulturave botërore. Së dyti, e shohim këtë pjesëmarrje si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi artistik me kore nga e gjithë bota – jo vetëm përmes fjalëve, por përmes vetë gjuhës universale të muzikës. Së treti, shpresojmë që kjo eksperiencë të jetë një hap drejt bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare, projekteve të përbashkëta dhe mundësive për ta çuar repertorin tonë në skena të tjera prestigjioze”, ka shtuar Memli Kelmendi.
Ka konsideruar që pritshmëria më e madhe e krejt ekipit është ajo e brendshmja, ku synohet që secili prej anëtarëve të korit të ndiejë se ky udhëtim është një prej atyre përvojave që mbeten në kujtesë si dëshmi e fuqisë së artit për t’i bashkuar njerëzit e kulturat përtej çdo kufiri.
Kori në fillim të korrikut kishte marrë pjesë në Danimarkë, në “Grand Prix of Nations” në kuadër të Lojërave Evropiane të Korit, ku edhe kishte fituar medalje të argjendtë. Suksesi atje qe vlerësuar si sukses i rëndësishëm në udhëtimin artistik të “Siparantumit” dhe si frymëzim për brezat e ardhshëm. Përveç tij, në fundprill pati ngjitur skenën e institucionit prestigjioz – Filharmonisë së Berlinit. Në festivalin “Walking in Beauty”, të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, kishte ardhur me bashkëpunim të veçantë me kompozitorin e pianistin Ola Gjeilo./Katror.info