Komuna e Malishevës ka finalizuar sheshin e qytetit, i cili, falë investimeve kapitale, ka marrë pamje të re. Kështu vlerëson kreu i komunës, duke konsideruar se dita ditës po plotësohen kushtet esenciale për mirëqenien e qytetarëve.
Është realizuar projekti më i madh infrastrukturor në qendër të Malishevës, i cili është përmbyllur me dinamikë të paraparë por edhe me cilësi të punimeve, thotë për RTK, kryetari i kësaj komune Ekrem Kastrati.
“Kërkesa apo nevoja ka qenë që Malisheva ta ketë një shesh ku të gjithë të dalin e t`i kryejnë shërbimet e veta si ato kulturore, si ato promovuse, si ato funksione tjera të shoqërisë apo nevoja tjera të shoqërisë”, tha Ekrem Kastrati, kryetar i Malishevës.
Kastrati thotë se infrastruktura dhe sheshi mundësojnë që qytetarët mos të kenë problem për të hyrë në qendër të Malishevës.

“Prandaj e kemi pa të rëndësishme që ta ndërtojmë një parking nëntokësor ku kapaciteti i këtij parking është deri 220 vetura e që është i mjaftueshëm për të gjitha këto biznese edhe për qytetarët që vijnë këtu e kanë ku të parkohen ku te sistemohen edhe vete edhe me mjetin e transportit”, tha ai.
Kastrati thotë se edhe në të ardhmen kanë objektiva që Malisheva të marrë pamje dhe funksionalitet të mirë për banorët e saj dhe vizitorët.
“Malisheva do të synoj që të realizoj të gjithë vizionin e vet në aspektin si në infrastrukturën bazike, si në unazën e qytetit si në shkolla edhe në furnizim me ujë dhe energji elektrike”, shtoi ai.
Investimi dhe krijimi i kushteve për banorët dhe investitorët e sidomos për bashkëkombësit nga mërgata mbeten objektiv i institucioneve komunale të Malishevës./Katror.info