Një arritje e madhe shkencore është prezantuar nga një ekip studiuesish në Zvicër, nën drejtimin e profesorëve Omer Xhemaili, me origjinë nga Tetova, dhe Robert Katzschmann nga Universiteti i Cyrihut. Ata kanë zhvilluar një arnim kardiak 3D nga indi biologjik, i cili mund të ndihmojë në rigjenerimin e zemrës së dëmtuar pas atakut kardiak.
Ky arnim inovativ, i quajtur RCPatch (Reinforced Cardiac Patch), kombinon një rrjet mbrojtës, një shtresë strukturore dhe një hidrogel me qeliza të zemrës, duke u përshtatur në mënyrë natyrale me indin kardiak. Për dallim nga arnimet tradicionale që përdorin inde të marra nga zemra e lopës – të cilat mbeten përgjithmonë si trup i huaj dhe shpesh shkaktojnë komplikacione – RCPatch ka potencialin të integrohet plotësisht me indin e muskujve të zemrës.
“Arnimet tradicionale të zemrës nuk integrohen me indin kardiak dhe mbeten si trup i huaj. Ne deshëm ta zgjidhim këtë problem me një arnim që bashkohet natyrshëm me zemrën”, shpjegoi Lewis Jones, autori kryesor i studimit.
Eksperimentet e para në kafshë kanë treguar se arnimi i ri është i qëndrueshëm ndaj presionit të lartë të zemrës, parandalon gjakderdhjet dhe përmirëson funksionin kardiak. Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore Advanced Materials.
Ky zbulim i ekipit ku bën pjesë edhe shkencëtari shqiptar Omer Xhemaili konsiderohet një hap i madh drejt krijimit të arnimeve kardiake të implantueshme tek njerëzit, me hapat e ardhshëm që përfshijnë testime afatgjata dhe zhvillime të mëtejshme të materialit.
Burimi: Enver Robelli