Zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut kanë marrë pjesë në punëtorinë me temën “Komunikimi për de-eskalim dhe ndjeshmëri gjinore”, e cila ka filluar në muajin qershor 2025 dhe ka përfunduar sot, në ambientet e kësaj drejtorie.
Sipas njoftimit, në këtë trajnim kanë marrë pjesë gjithsej 201 zyrtarë policore nga gjeneratat 59, 60, 61 dhe 62 të Policisë së Kosovës. Punëtoria është organizuar nga zyrtarë të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës dhe ka pasur për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e komunikimit efektiv, parandalimin dhe uljen e tensioneve, si dhe forcimin e ndjeshmërisë gjinore gjatë ushtrimit të detyrës policore.
“Pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të shkëmbejnë përvoja, të diskutojnë raste praktike dhe të thellojnë njohuritë mbi qasjet bashkëkohore në menaxhimin e situatave që kërkojnë kujdes të veçantë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës shpreh falënderimin e saj për EULEX-in për mbështetjen dhe organizimin e kësaj punëtorie, duke vlerësuar kontributin e tyre në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve policorë.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zhvillimin profesional të stafit të saj dhe në avancimin e standardeve që garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve./RTK/Katror.info