Po zhvillohet një valë e re e “luftës së kërkuesve” (search engines), e nxitur nga mjetet e inteligjencës artificiale dhe agjentët e tyre. Kompania amerikane, Palo Alto Networks publikoi rezultatet financiare për tremujorin e katërt të vitit fiskal 2025, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale po hap një kapitull të ri në sfidat e sigurisë. Drejtori ekzekutiv Nikes Arora theksoi se zhvillimi i agjentëve të AI, të fuqizuar nga gjigantët si Microsoft, Google, OpenAI dhe Perplexity, po rikthen në skenë një lloj “luftë kërkuesish”, përcjell TAR.
Sipas tij, mjetet e reja u lejojnë përdoruesve të rezervojnë restorante apo akomodim direkt përmes shfletuesit, por kjo njëkohësisht paraqet një rrezik serioz sigurie për kompanitë. “Ajo çfarë është fantastike për konsumatorin, është e rrezikshme për biznesin. Asnjë kompani nuk do të dëshirojë një shfletues me agjentë të lirë pa asnjë kontroll,”-tha Arora.
Zgjidhja, sipas tij, qëndron te shfletuesit e sigurt për biznes dhe Palo Alto është njëra nga kompanitë që ofron këtë lloj shfletuesi. Arora është optimist dhe paralajmëron se Palo Alto do të bëhet në vitin fiskal 2026 kompania e parë e fokusuar në sigurinë kibernetike që do të kalojë pragun e 10 miliardë dollarëve të ardhura vjetore.
Rikujtojmë se NASA dhe Google po bashkëpunojnë për të testuar një asistent mjekësor të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, i projektuar për të mbështetur astronautët në misione afatgjata, ku vonesat në komunikim me Tokën i bëjnë të pamundura konsultimet mjekësore në kohë reale. NASA, e cila është e përkushtuar ndaj një epoke të re të fluturimeve hapësinore njerëzore me programin e saj Artemis, po punon me Google për të testuar një provë koncepti për një Asistent Digjital Mjekësor të Ekuipazhit (CMO‑DA). /Katror.info